Arbëri

Pacientja me kancer bën 170 kilometra rrugë për një pako tabletash

Naxhije Juka-Skenderi është nga Peja dhe asaj i duhet të zgjohet para orës 6 të mëngjesit për t’u paraqitur herët në sportelin e Onkologjisë në Prishtinë dhe pastaj të pres deri në orën 13:00, për ta marrë terapinë tabletare që jepet çdo tri javë. Ajo kërkon që terapia të shpërndahet në spitale rajonale, në mënyrë që të mos u shtohen vuajtjet pacientëve me sëmundje të njëjtë

Për të marrë një pako të terapisë tabletare, një 70-vjeçare nga Peja u detyrua gjatë javës t’i bëjë afro 170 kilometra rrugë vajtje-ardhje për në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare (QKUK).

Pacientëve me kancer, sikurse Naxhije Juka-Skenderit, u duhet të paraqiten në sportel para orës 9:00, e pastaj të presin deri në orën 13:00, kur nis të shpërndahet terapia.

Me kaq, sipas saj, nuk përfundon pritja në QKUK.

“Prej mëngjesit, prej 6:30-ve kam dalë prej banesës. Këtu kam mbërri pak para 9-ve dhe ende po pres për një kuti tableta”, tregon kjo paciente që është e diagnostikuar me kancer.

Juka-Skenderi tregon se në disa raste është zgjuar edhe më herët.

“Ndodh që në ora 4 kam dalë prej Onkologjisë për një kuti tableta, prej mëngjesit. Edhe kjo ka kaluar çdo kufij. Me të vërtetë, më duket se është koha e fundit që dikush të merret seriozisht me këtë punë”, ka thënë ajo.

Juka-Skenderi tha se çdo tri javë i duhet ta marrë rrugën për në Prishtinë për të marrë një pako me tableta, e që, sipas saj, mund t’i dorëzohet fare lehtë edhe në Pejë.

Kësisoj veprohet në një qytet tashmë.

“Është problem që mund të rregullohet. Kurrgjë nuk i kushton Ministrisë me u shpërnda qysh është bërë në Prizren. Pse të mos shpërndahet edhe në Pejë, edhe në këto qytete tjera që janë, në Gjilan e të tjera, e të tjera, e jo me e maltretu pacientin”, ka thënë Juka-Skenderi.

Veç dërmimit fizik që ia shkakton rruga, ajo përmend edhe shpenzimet.

“Krejt shpenzime në një anë, po gjendja shëndetësore jonë, e neve që jemi me këtë diagnozë, kjo është e tmerrshme, e turpshme, e pa përballueshme”, thotë ajo.

KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), nëpërmjet të cilave është kërkuar arsyeja përse terapia tabletare për pacientët me kancer nuk shpërndahet edhe në spitalet e tjera, siç veprohet në atë të Prizrenit prej vitit 2023.

Ministria e Shëndetësisë, përgjegjësinë ia ka hedhur SHSKUK-së, megjithëse kur u jetësua ky projekt në Spitalin e Prizrenit, meritat i mori për vete ky institucion.

“Sa u përket pyetjeve të ngritura nga ana juaj, duke pasur parasysh se menaxhimi i spitaleve rajonale bëhet nga SHSKUK-ja, ju lutemi që për përgjigje t’i drejtoheni vetë SHSKUK-së, si organizatë e pavarur buxhetore”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

E Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk ktheu përgjigje për këtë problem të ngritur nga pacientët me kancer.

Krahas për tableta, në intervale më të shpeshta pacientët me kancer detyrohen të bëjnë rrugë për në Prishtinë për ta marrë terapinë.