Pacientët e diagnostikuar me kancer të qelizave plazmatike të gjakut, gjatë javës u përballen me mungesë të një ilaçi për terapi që e marrin në baza javore. Njëri prej pacientëve me vendbanim në Kamenicë tha se për mungesën e ilaçit u njoftua tek pasi mbërriti në QKUK
Kanceri nuk është beteja e vetme me të cilën duhet të luftojë një burrë rreth të 60-ave nga Kamenica. Ai i bëri rreth 60 kilometra rrugë për të mbërritur në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë dhe aty e kuptoi se ilaçi që e merr në baza javore mungon në institucionin e vetëm që ka Kosova që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor terciar.
Përveç rrugës Kamenicë-Prishtinë, pacientit të diagnostikuar me kancer të qelizave plazmatike të gjakut i kushtoi edhe financiarisht mungesa e ilaçit në QKUK.
“Nëse është intravenoz kushton 160 euro, nëse është që jepet këtu (në krah v.j.) kushton 180 euro. Nuk kemi qenë të njoftuar (që mungon medikamenti v.j.), do me thënë veç kur kemi ardhë. Disa pacientë kishin marrë informata që mungon, pastaj na njoftuan edhe motrat”, ka treguar ai.
Ai u shpreh kritik ndaj personave përgjegjës në QKUK për mos njoftim me kohë për mungesën e ilaçit Bortezomib, i cili ka aftësi të degradojë disa proteina që ndodhen në qeliza kanceroze, pas të cilit proces qelizat shkatërrohen.
“E gjeta ilaçin tek barnatorja edhe e bleva. Më qëlluan mjete, por unë po habitem se pse të paktën mos me na njoftu javën e kaluar që ‘javën që vini ka me mungu ky ilaç’ edhe ne ishim gjetë. Munden edhe me të mungu paret, kur i ke një javë për shembull në dispozicion, gjendesh disi. Kishte pacientë që i mungonin dhe nuk kish qysh me e ble, dhe kështu”, tregon ai.
Sipas këtij pacienti, në Klinikën e Hematologjisë ku e merr terapinë, nuk iu dha arsye për mungesën e barit e as për kohën se kur do të jetë në dispozicion.
Me situatë të njëjtë u përballën edhe pacientë të tjerë të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), që menaxhon QKUK-në dhe spitalet rajonale, nuk i komentuan ankesat e pacientëve për mosinformim paraprak të tyre.
“Jemi në pritje të liferimit të produktit Bordezomib, kërkesa për furnizim tashmë është procesuar nga menaxheri i kontratës. Për informacionin tuaj, deri ditën e premte kemi pasur furnizim”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.
Ky ilaç ka munguar edhe gjatë janarit të këtij viti.
KOHA ka raportuar se si disa pacientëve u ishte ndërprerë kimioterapia në mungesë të barit Bortezomib.
Falë ndihmës nga të afërmit dhe miqtë, rreth dy muaj më parë Hyrie Bruqit i është mundësuar vazhdimi i kimioterapisë në Klinikën e Hematologjisë.
Mungesa e barit Bortezomib në klinikë ka detyruar atë dhe shumë pacientë të tjerë ta blejnë vetë terapinë, që kushton nga 180 deri në 200 euro.
“Për ne është vështirë të përballemi me një social. Nuk është lehtë. Po të mos na japë dikush ndihmë, ne mbesim pa terapi se nuk i kemi kushtet”, pati thënë ajo.
E, disa pacientë të tjerë ishin detyruar ta ndërpresin terapinë në mungesë të barit që duhet të sigurohet nga shteti, pasi është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.
Njëri nga këta është Shefqet Tapili.
“Tre muaj e kam marrë injeksionin. Mbas tre muajve është ndërprerë. Nuk ka injeksion. Në barnatore është 180 euro. Unë nuk kam mundësi ta blej dhe kam mbetur pa injeksion”, pati thënë Tapili.
Për këtë rast dhe të tjera, autoritetet kanë përmendur procedurat e prokurimit kur janë arsyetuar për mungesë të ilaçeve.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit thonë se kanë hapur hetim në lidhje me mungesën e barnave që janë listë esenciale dhe u bën thirrje qytetarëve që përballen me këtë situatë, që të raportojnë në këtë institucion.
“E drejta për mbrojtje shëndetësore dhe sociale është një e drejtë themelore e secilit qytetar të Republikës së Kosovës dhe kurdoherë që ata pretendojnë se u janë shkelur këto të drejta, po mund të vijnë lirisht tek Institucioni i Avokatit të Popullit, ose në zyrën qendrore, ose në zyrat rajonale që i kemi, por janë edhe mundësitë tjera që ose përmes email ose përmes postës, përmes telefonit që është pa pagesë e po ashtu mund t’i bëjnë ankesat e tyre edhe në uebfaqen tonë, që t’i bëjnë ankesat online”, ka thënë Petrit Çollaku, zëdhënës në institucionin e Avokatit të Popullit. “Pra i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë ankesa të tilla të na shkruajnë”.
KOHA gjatë javës ka raportuar për mungesë edhe të disa ilaçeve të tjera të domosdoshme në Klinikën e Onkologjisë dhe në atë të Pediatrisë.