Arbëri

Pacientët u përballën me mungesë ilaçesh, Kurti lavdërohet për renovim klinikash

Në mesin e të arriturave që kryeministri Albin Kurti i numëroi të premten, janë edhe ato në shëndetësi. Fokusin e vuri tek rinovimet në klinika dhe te Ligji për çmimet e unifikuara të barnave. Por, rinovimet nuk kanë zvogëluar listat e pritjes së pacientëve, e ligji ende nuk i ka dhënë efektet në uljen e çmimit të barnave.

Kryeministri Albin Kurti ka listuar arritjet e vitit në sektorin e shëndetësisë dhe në krye të listës ka vendosur renovimet në Klinikën e Ortopedisë.

Kjo dhe 12 klinika të tjera, e disa reparte në spitalet regjionale, u përmenden nga kryeministri në mbledhjen e Qeverisë, si shembuj transformimi.

“Shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë dhe me më shumë shërbime. Klinika e Ortopedisë, Klinika e Onkologjisë, Urologjisë, Gjinekologjisë, Kardiokirurgjisë, Klinika Emergjente, Blloku Operativ në Klinikën Torakale, Blloku Operativ në Neurokirurgji – Kirurgji Vaskulare, Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë, Transfuzioni i Gjakut në Gjilan, Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve janë transformuar të gjitha këto rrënjësisht e tërësisht”, tha Kurti.

Pavarësisht rinovimit, Klinika e Ortopedisë edhe sivjet u përball me problemet që asaj i barten vit pas viti. Ajo vazhdon të jetë njëra prej klinikave të QKUK-së, ku pacientët presin më së gjati për të kryer ndërhyrje. Në radhë për t’iu nënshtruar operacioneve për proteza të gjurit, kërdhokullës si dhe për ligamente janë pacientë të regjistruar qysh në vitin 2020.

Lista të pacientëve që presin me vite për të marrë shërbim ka edhe në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, Oftalmologjisë, ORL-së, Kardiologjisë e Kardiokirurgjisë.

Pacientët presin përditë me orë të tëra edhe për kontrolle ambulantore në ambulancat specialistike.

Gjatë adresimit, kryeministri nuk foli për listat e pritjeve. Krahas renovimeve, si të arritur identifikoi edhe Ligjin për çmimet e unifikuara të barnave.

“Me udhëzimin Administrativ “Bashkëpagesat për shërbime shëndetësore” disa prej shërbimeve jetike për qytetarë janë pa pagesë ose me çmime më të përballueshme. Kurse me Ligjin për çmimet e unifikuara të barnave dhe miratimit të listës, duke filluar nga 1 shkurti i vitit 2025, çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta”, tha Kurti.

Ligji nuk arriti të vihej në zbatim as pas më shumë se një vit prej miratimit. Lista e parë me çmime obliguese është anuluar në qershor pasi kishte nxjerrë produktet me çmim të tregut shumë më të lartë sesa çmimet aktuale. E lista e dytë është nënshkruar katër ditë më parë.

Edhe pse buxheti i ndarë për Listën e Barnave Esenciale është më i larti ndër vite, pacientët përballen vazhdimisht me mungesë të tyre. Gjatë vitit, u evidentuan mungesa të shumta të medikamenteve me kosto mijëra eurosh.