Klinika e Mjekësisë Nukleare është përballur me kërkesa të shumta të pacientëve për incizim përmes PET-CT-së, prej 25 qershorit kur Qendra Klinike Universitare nisi këtë shërbim.
Një nga pacientët tregoi në kushte anonimiteti se për t’iu nënshtruar këtij skanimi që identifikon qelizat kancerogjene, fillimisht i është thënë se duhet të presë deri në mars.
“Para një muaji në Onkologji mjeku im më ka thanë se për ta bërë në QKUK duhet të pres edhe 6 muaj. Unë kam shikuar, kam pyetur se sa kushton në privat. Qe shtrenjtë e nuk i kam kushtet dhe më duhet tash të pres derisa të më thirrin”, ka thënë pacienti.
Në Klinikën e Mjekësisë Nukleare thonë se situata ka ndryshuar, ngase që nga tetori shërbimi ofrohet nga një në dy herë në javë.
Sipas drejtorit, Fakir Spahiu, lista e pritjes tashmë është reduktuar.
“Sot furnizohemi me dy gjeneratorë, njëri është për 7-8 pacientë, varësisht se çfarë kohe mbërrin FDG-ja për shkak të kohës së zbërthimit dhe tjetri për 5 ose 6, zakonisht brenda javës jemi duke i kryer 13 deri 14 pacientë. Kështu që, i kemi thirrur të gjithë pacientët, e kemi riprogramuar listën dhe tash jemi më 26 nëntor, ne e kemi listën e pritjes më 20 janar, brenda d.m.th. 1 muaj e gjysmë po i bie, as dy jo”, ka thënë Spahiu.
Këtë e konfirmoi edhe pacienti që foli në kushte anonimiteti, i cili tregoi se termini i ri që i është caktuar është për datën 16 janar.
E, drejtori Spahiu thotë se në krijimin e listës dhe në procesin e ngadalësuar të punës përveç kërkesave të mëdha ka ndikuar edhe mungesa e stafit mbështetës.
“Prej qershori, kur kemi filluar deri në shtator, problemi ka qenë që ne staf mbështetës nuk kemi pasur, specialistë kemi pasur, por staf mbështetës nuk kemi pasur që ne të punojmë më shumë. Por me ardhjen e teknikëve të rinj, të cilët i kemi kërkuar ne, SHSKUK-ja dhe QKUK-ja na kanë mbështetur, që duhet t’i falënderoj, me pesë teknikë të rinj, të cilët kanë ardhur, ne jemi përforcuar edhe me dy specializantë nga 1 tetori”, ka thënë ai.
Që nga 25 qershori deri në fund të shtatorit janë realizuar 69 incizime diagnostike për qeliza kanceroze, përmes PET CT-së.
Deri sivjet, pacientët që kanë pasur nevojë për këtë skanim kanë paguar në një institucion privat shëndetësor rreth 1 mijë e 400 euro, apo edhe më shumë nëse kanë shkuar jashtë shtetit.