Ngecjet në procedurat e prokurimit kanë bërë që pacientët e Klinikës së Hematologjisë në QKUK të mbeten pa ilaçin Bortezomib, që përdoret për trajtimin e kancerit. Në mungesë së këtij bari që duhet të sigurohet nga shteti, pacientët po detyrohen ta ndërpresin kimioterapinë e disa të tjerë, edhe ta blejnë vetë
Falë ndihmës nga të afërmit dhe miqtë, Hyrie Bruqit i është mundësuar vazhdimi i kimioterapisë në Klinikën e Hematologjisë.
Mungesa e barit Bortezomib në klinikë ka detyruar atë dhe shumë pacientë të tjerë ta blejnë vetë terapinë, që kushton nga 180 deri në 200 euro.
“Për ne është vështirë të përballemi me një social. Nuk është lehtë. Po të mos na japë dikush ndihmë, ne mbesim pa terapi se nuk i kemi kushtet”, ka thënë ajo.
Por jo të gjithë kanë fatin e saj. Disa pacientë të tjerë janë detyruar ta ndërpresin terapinë në mungesë të barit që duhet të sigurohet nga shteti, pasi është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.
Njëri nga këta është Shefqet Tapili.
I diagnostikuar me kancer në gjak, ai prej tre muajsh është trajtuar rregullisht në Klinikën e Hematologjisë, por mungesa e injeksionit Bortezomib ka bërë që t’i ndërpritet kimioterapia.
“Tre muaj e kam marrë injeksionin. Mbas tre muajve është ndërprerë. Nuk ka injeksion. Në barnatore është 180 euro. Unë nuk kam mundësi ta blej dhe kam mbetur pa injeksion”, ka thënë Tapili.
Ai tregon se ditëve të fundit gjendja e tij është përkeqësuar dhe dhimbjet i janë shtuar.
“Kam dhimbje nëpër brinjë. Sa fillova të qetësohem nga dhimbjet, prapë ia nisën”, u ankua ai.
Mungesa e barit Bortezomib ka rënduar financiarisht edhe familjet e pacientëve.
Agim Balaj, bashkëshort i një pacienteje, thotë se është e pamundur të përballohen këto shpenzime.
“Kushtojnë shumë. Sa do të kesh pare, nuk mund ta përballosh. Çdo javë ne po vijmë, në ora pesë zgjohemi dhe vijmë nga Prizreni. Me ardhë këtu, me pritë në rend për kimioterapi e kur vjen nuk ka”, ka thënë Balaj.
Balaj është ankuar edhe për kushtet në klinikë.
“Sa u përket shtretërve, ata janë për fizioterapi e nuk janë për këto sëmundje. Kjo sëmundje është shumë e rëndë. Nuk ka çarçafë, nuk ka barna. Barnat janë këtu, por qe tri javë duhet t’i blejmë” shtoi ai.
E, drejtoresha e Klinikës së Hematologjisë, Afërdita Ukimeraj, arsyetoi mungesën e Bortezomibit, me vonesat gjatë procedurave administrative të furnizimit. Ajo tha se furnizimi me barna varet nga miratimi i buxhetit.
“Deri më tash pacientët tanë kanë qenë të furnizuar dhe jemi duke u munduar që furnizimi të jetë në nivel. Ka momente, ka raste kur kemi mungesa e sidomos kur është fillimviti. Kur bëhet planifikimi i branareve veç ka shkuar, por duhet të bëhet aprovimi i buxhetit edhe aprovimi i listës të planifikimit që ne i kemi kërkuar, kështu që janë pak procedura dhe si duket aty diku ka ngecur procesi”, ka thënë drejtoresha Ukimeraj.
Ajo ka treguar se për disa pacientë është e obligueshme marrja e kësaj terapie.
“Është çështje procedurale, më vjen keq shumë por, megjithatë mundohemi që pacientët të cilët domosdoshmërish duhet ta blejnë, ju themi që duhet ta sigurojnë barin. Pacientët e tjerë... sepse kemi pacientë që janë me terapi mbajtëse, ata mund edhe ta shtyjnë për një kohë”, ka thënë ajo.
Bortezomibi përdoret kryesisht për trajtimin e mielomës së shumëfishtë, një formë kanceri që prek qelizat plazmatike në palcën e kockave. Ky ilaç, që bën pjesë në grupin e barnave antineoplastike, funksionon duke vrarë qelizat e kancerit dhe duke ngadalësuar përhapjen e sëmundjes.
Ndërprerja e terapisë rrezikon përkeqësimin e gjendjes së pacientëve, shtimin e dhimbjeve dhe krijon komplikime të tjera.