Ndonëse themelimi i Njësisë Spinale për pacientët me lëndime në shtyllën kurrizore u premtua gjatë 2022-s, në kuadër të vitit për persona me aftësi të kufizuara, ai nuk u funksionalizua as pas dy vjetësh. Në shoqatën “HANDIKOS” e kualifikojnë urgjente ofrimin e këtij shërbimi në QKUK e në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ka nisur trajnimi i stafit
Por ani se kjo ka qenë e paraparë në kuadër të aktiviteteve për vitin 2022, që ishte shpallur si vit i personave me aftësi të kufizuara, vendim në këtë drejtim ende nuk ka.
Tek u ankua për mosveprim të autoriteteve, drejtori i shoqatës “HENDIKOS”, Afrim Maliqi, e kualifikon urgjencë ofrimin e këtij shërbimi në klinikat e QKUK-së.
“Sot një person nëse pëson lëndim spinal e që nuk janë të paktë, për shkak se dinamika e jetës është ashtu, automjetet, motorat, motoqikletat, lëndimet në punë që çdo herë ka më shumë e që mbesin me pasoja të përjetshme apo të përhershme. Këta persona, pas lëndimit trajtohen në spital, intervenohet kirurgjikisht, një javë, dhjetë ditë mbesin, pas një jave, dhjetë dite, dalin nga spitali dhe shkojnë në shtëpi të traumatizuar, jo vetëm personi por edhe e gjithë familja, për arsye se nuk ka marrë këshilla, nuk ka marrë rehabilitim”, ka deklaruar Maliqi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ofruan përgjigje lidhur me themelimin e njësisë spinale. Çështja e kësaj njësie u ngrit javë më parë para zëvendësministrit të Shëndetësisë, Arsim Berisha, gjatë raportimit të tij në Komisionin për të Drejta të Njeriut. Aty Berisha përmendi vetëm se stafi mjekësor është duke u trajnuar për këtë punë.
“Është duke vazhdu trajnimi i profesionistëve me u kriju Njësia Spianale në mënyre specifike me dhanë këtë shërbim, nëse ju pritni që brena një mandatit me u rregullu në tënsi të gjitha shërbimet shëndetësore duhet bazuar në resurse humane të kualifikume....nuk po them që çdo gjë është përfekte por lëvizjet janë pozitive”, u shpreh Berisha.
Por Maliqi thotë se për këtë shërbim nevojitet vullnet, e jo investim i madh.
“Nuk po flas për ndërtim milionësh të kësaj njësie spinale, por po flas për disa dhoma të cilat mund të përshtaten dhe rregullohen më mirë në cilëndo klinikë që është e mundur. Po flas për trajnimin e personelit shëndetësor edhe ndoshta disa pajisjeve të tjera.....”, ka deklaruar Maliqi.
Krahas Ministrisë lidhur me themelimin e Njësisë Spinale nuk ofruan përgjigje as në QKUK.