Arbëri

Pacientët me kancer blejnë ilaçe që MSH-ja i përfshiu në listën e barnave esenciale

Pacientët me kancer të gjirit dhe të lëkurës ende i blejnë vetë ilaçet me kosto të lartë, edhe pse ato janë përfshirë prej dy muajsh në listën e barnave esenciale, që sigurohen nga buxheti i shtetit. SHSKUK-ja që është përgjegjëse për blerjen e barnave, ende nuk ka nisur as procedurat e prokurimit për t’i kontraktuar ato

Ndonëse edhe pak ditë bëhen dy muaj prej kur Ministria e Shëndetësisë përditësoi listën e barnave esenciale, pacientët me kancer vazhdojnë ta sigurojnë vetë një numër medikamentesh të shtrenjta.

Më 16 dhjetor kësaj liste iu shtuan edhe shtatë produkte të reja për trajtimin e kancerit të gjirit dhe melanomës, që është kancer agresiv i lëkurës.

Por, një paciente me kancer të gjirit tregoi në kushte anonimiteti se ende nuk i janë dhënë informata se kur ilaçet që i kushtojnë afër 500 euro në muaj, do të mund t’i marrë falas në Klinikën e Onkologjisë.

“Me këtë terapinë që është e shtrenjtë kam filluar në qershor. Nëse veç është vendosur të jepet në spital... lajmi qe shumë i mirë, po kur ia nisin t’i japin, nuk e di”, ka thënë pacientja.

Edhe një familjare e një pacienti me kancer të lëkurës tregoi se medikamentet vazhdon t’i sigurojë jashtë vendit me çmim tejet të lartë, rreth 6 mijë euro.

“Ende nuk i kanë shpërndarë, sepse ende nuk i kanë, edhe pse kanë hyrë në listën esenciale. Po shpresojmë që muajin që vjen të ndryshojë diçka”, është shprehur prindi i një pacienti.  

Bazuar në uebfaqen e prokurimit publik, SHSKUK-ja që është përgjegjëse për blerjen e barnave, ende nuk ka nisur as procedurat e prokurimit për të kontraktuar operatorët ekonomikë për furnizim me shtatë produktet e reja.

Në këtë institucion thanë se është duke u bërë plotësim-ndryshimi i planit të prokurimit, bazuar edhe në çmimoren e re të barnave.

“Produkteve të cilave u referoheni janë futur në Listën Esenciale të Barnave, në fund të muajit dhjetor të vitit 2024, atëherë kur SHSKUK-ja, veç kishte përfunduar planin e prokurimit për vitin 2025, e që ishte dorëzuar edhe në AQP. Po ashtu, SHSKUK-ja nga 1 shkurti i këtij viti, do të iniciojë procedurat sipas listës së re zyrtare për çmim të barnave. SHSKUK-ja është duke punuar në drejtim të plotësim-ndryshimit të planit të prokurimit, duke i futur edhe produktet që janë futur së fundmi në listë esenciale, e po ashtu duke i përshtatur me buxhetin aktual”, ka njoftuar SHKSUK-ja.

Gjatë vitit të kaluar, KOHA ka raportuar për disa medikamente për imunoterapi që nuk janë përfshirë në listën e barnave esenciale, ani se janë rekomanduar nga mjekët.