Arbëri

Pacientët ende e blejnë kontrastin që SHSKUK-ja e kontraktoi në nëntor

Pacientët që u duhet të kryejnë disa incizime në QKUK dhe në spitale, vazhdojnë ta blejnë materialin e nevojshëm që qartëson imazhet e organeve dhe enëve të gjakut. Që nga 25 nëntori SHSKUK-ja ka kontraktuar një operator ekonomik, por furnizimi me kontrast ende nuk është realizuar

Ndonëse kanë kaluar një muaj prej kur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka kontraktuar një operator ekonomik për të furnizuar klinikat dhe spitalet me kontrast, ky material vazhdon të mungojë për pacientët.

Një familjar i një pacienti nga Komuna e Prizrenit, në kushte anonimiteti ka treguar se për ta bërë një koronarografi është detyruar ta blejë këtë produkt që injektohet për qartësim imazhi.

“Në spital më thanë se duhet ne ta sigurojmë kontrastin për koronarografi se nuk ka. Kam kërkuar nëpër disa barnatore në Prizren dhe Prishtinë, sepse më thanë që në Prishtinë është më lirë. Por, 28-29 euro është sjellë çmimi. Ishte pothuajse njëjtë, andaj e bleva në Prizren me çmim 27 euro”, ka treguar ai.

Në Spitalin e Prizrenit konfirmuan mungesën dhe bënë të ditur se hera e fundit kur kanë pranuar kontrast nga SHSKUK-ja ka qenë në muajin korrik.

“Të gjitha pranimet e kontrastit janë bërë nga QKUK. Transferi i parë është bërë më datën 22.03.2024, ndërsa i fundit më 15.07.2024. Sasia totale e pranuar në mililitër është 76800ml. Nuk kemi pasur furnizim me kontrast jojonik jod /ml 350-400mg deri 200ml, por kemi pasur vetëm transfer. Transferi i fundit është i datës 15.07.2024”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Prizrenit. “Në SHSKUK janë në dijeni për mungesën e produktit dhe kjo mungesë është në nivel të SHSKUK-së. Informata më të sakta mund të merrni në SHSKUK. Plani vjetor është dorëzuar me kohë. Sasia totale vjetore e kërkuar për furnizim me produktin në fjalë është 251400ml”.

Me mungesë të kontrastit që përdoret për incizime është duke u ballafaquar edhe spitali i Gjilanit.

“Ka rreth një muaj që nuk kemi kontrast për procedurat radiologjike. Gati tërë vitin e kaluar (afërsisht deri në fillim të dhjetorit) jemi gjendur me rezervat nga viti 2023, të cilat na kanë mbaruar në fund të vitit të kaluar. Për të realizuar procedurat radiologjike ku është i nevojshëm kontrasti, pacientët janë duke e blerë atë”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Gjilanit.

Rreth furnizimit me kontrast KOHA ka pyetur të gjitha spitalet rajonale. Në Spitalin e Vushtrrisë mohuan të kenë mungesë, ndërkaq katër spitalet tjera nuk kanë ofruar përgjigje.

Kontrasti mungon edhe në klinikat e QKUK-së që nga muaji shtator i vitit të kaluar.

Më 25 nëntor, SHSKUK-ja përmes një kontrate publike kornizë, ka kontraktuar kompaninë “Liri-Med” për të furnizuar me kontrast. Në kontratën në vlerë afro 124 mijë euro, theksohet se furnizimi duhet të realizohet brenda periudhës 10-ditore nga koha e kërkesës.

Për arsyet e mosfurnizimit KOHA ka pyetur operatorin ekonomik, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigjet kanë munguar edhe në pyetjet e drejtuara të premten QKUK-së, ShSKUK-së dhe Barnatores Qendrore. Ndonëse ishte ditë pune, zyrtarë përgjegjës të këtyre institucioneve thanë se ndodhen në pushim dhe se do të ofrojnë përgjigje javën e ardhshme.

As në muajin e shkuar, në SHSKUK nuk kanë treguar se kur është lëshuar urdhër-blerja e produktit dhe as kur pritet të ndodhë furnizimi.

Në një përgjigje, ky institucion pati arsyetuar operatorin ekonomik pavarësisht se në kontratë specifikohet ndryshe afati ligjor i kohës së dërgesës.

“Kërkesat për furnizim me kontrast janë lëshuar nga ana e menaxherit të kontratës menjëherë sapo është lidhur kontrata. Operatori në këtë rast ka afat kohor prej 30 ditësh për të sjellë furnizimin që do të thotë është brenda afatit ligjor të kohës së liferimit. Jemi në pritje të furnizimit. Duhet të theksojmë se 3 herë kishte dështuar procedura e prokurimit, kurse herën e katërt është realizuar kontrata dhe siç theksuam jemi brenda afateve ligjore 30-ditore për liderin”, thuhet në përgjigje.

Për furnizim me këtë material, SHSKUK-ja që nga muaji maj ka anuluar tri procese të prokurimit, shkaku i ofertave të papërgjegjshme.

Në maj, SHSKUK-ja ka anuluar aktivitetin e prokurimit për dy operatorë ekonomikë, me arsyetimin se njërit i ka munguar autorizim-marketingu, ndërsa tjetri ka ofertuar me çmim që e tejkalon buxhetin e paraparë.

Pas tre muajsh, në tenderin tjetër kanë ofertuar tre operatorë ekonomikë, por SHSKUK-ja sërish e ka anuluar me arsyetimin e një gabimi teknik në procesin e prokurimit. Operatori i është referuar produktit si copë dhe jo si mililitra.

Lënda ka përfunduar në OSHP, ndërsa në ankesë, operatori ka ofruar dëshmi se me të njëjtat terme të referimit, një tjetër aktivitet i prokurimit ka përfunduar me sukses.

Më 27 shtator, SHSKUK-ja e ka anuluar aktivitetin e radhës, duke i eliminuar dy operatorët ekonomikë, me arsyetimin e njëjtë sikurse në herën e parë: njëri nuk ka dorëzuar autorizim-marketingun, ndërsa tjetri ka ofertuar me çmim më të lartë se që ka qenë buxheti.