Që nga fillimi i marsit, terapia e imunoglobulinës humane që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga mungesa e antitrupave në gjak, mungon në Barnatoren Qendrore të QKUK-së. Për pasojë, pacientët janë detyruar ta sigurojnë vetë këtë terapi të Listës Esenciale, me një çmim deri në 500 euro për një dozë. Derisa në QKUK thanë se presin që furnizimi të bëhet javën e ardhshme, operatori i kontraktuar për furnizuar fajësoi QKUK-n për shpenzim jashtë planifikimit
Deri në 500 euro për një dozë të imunoglobulinës humane janë detyruar të paguajnë pacientët që nga fillimi i muajit, qëkur është shfaqur mungesa e këtij produkti në Barnatoren qendrore të QKUK-së.
Kjo terapi, që prodhohet nga qelizat e gjakut, ndihmon trupin që të luftojë infeksionet dhe sëmundjet që shkaktohen nga mungesa e antitrupave në gjak.
Disa nga pacientët treguan në kushte anonimiteti se për dozat që u nevojiten kanë paguar edhe deri në 1 mijë e 500 euro.
“Në treg ishte ekstrem e kushtueshme. Një kushtonte 500 euro. E kemi siguruar dorë pas dore nëpër barnatore. Deri në 1.500 nëse të duhen më shumë doza. Për shkak të rënies së leukociteve”, ka thënë një familjar i një pacienti.
Në Barnatoren Qendrore thanë se mungesa është pjesë e një problemi global, tek shtuan se furnizimi pritet gjatë javës së ardhshme.
“Fatkeqësisht kemi pasur vonesë në liferimin e këtij produkti, mirëpo kemi marrë premtim që deri gjatë javës së ardhshme, kah mesi i javës do të jetë furnizimi i rregullt, por aktualisht kemi mungesë..... Këtë muaj ka filluar me u shfaq mungesat e para me produktin Imunoglobuline, po e ceki jo për fajin tonë, jo për fajin edhe të ndoshta operatorit mirëpo është problem global”, ka thënë drejtoresha e Barnatores Qendrore të QKUK-së, Dardana Mehaj.
Drejtoresha e Barnatores Qendrore, Dardana Mehaj, bëri të ditur se që prej shfaqjes së mungesës, pacientë të shumtë i janë drejtuar për të kërkuar informacione mbi furnizimin.
“Psh dje ke një pacient u adresu me telefonatë, pyeti kur mundemi me e siguru. Dmth mundohemi me i mbajt të informum, për shkak se jemi edhe të obliguar se është produkt i listës esenciale dhe shteti ynë i ka nda mjetet për me e siguru atë produkt të listës esenciale”, ka shtuar Mehaj.
Për furnizim me produktin, SHSKUK-ja e kontaktoi në korrik të vitit të shkuar operatorin ekonomik “NTSH REDONI HM”. Në këtë kompani thanë se problemet në furnizim janë shfaqur pasi SHSKUK-ja në tremujorin e katërt të vitit të shkuar kërkoi sasi jashtë planifikimit.
“Vlen të theksohet që TM4 të 2023 SHSKUK, përkundër planifikimit mujor të 1200g/TM ka kërkuar gjithsej 3400g (jashtë planifikimeve për TM), kjo duke shkaktuar probleme në furnizimet e TM e radhës të planifikuara sipas planit të furnizimit. Furnizimi me Immunoglobulin shpresojmë ta realizojmë javën e ardhshme, ne kemi aplikuar për leje importi dhe sa po te merret leja e importit do të organizojmë transportin”, thuhet në përgjigjen e “NTS REDONI HM”.
Në QKUK bënë të ditur se tanimë kanë nisur procedurat për një tender të ri rreth kontraktimit të këtij produkti.