Arbëri

Pa pushtetin nis seanca për ushqimin në FSK, Berisha fajëson Qeverinë: Situata shqetësuese

Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosoves

Foto: Alban Bujari

Pa deputetët e pushtetit, opozita e ka nisur seancën e jashtëzakonshme lidhur me ushqimin në Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK).

Në emër të deputetëve nënshkrues, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se situata aktuale me ushqimin në FSK është tejet shqetësuese. 

Ai e ka akuzuar Qeverinë, duke thënë se e ka lënë pa bukë ushtrinë. “Ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë, të trajtohet me prioritet. Sot kërkojmë zgjidhje të menjëhershme. Ushtarët nuk duhet të jenë preokupuar për ushqimin e cilësinë e tij. Nuk ka lojë me ushtrinë. Paramendoni në këtë institucion ku ish dashtë disiplina me kanë ma e madhja vjen puna qeveria me lamë pa bukë”, ka deklaruar Berisha, në seancën që po udhëhiqet nga nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.


Berisha i PDK-së: Kjo që po ndodh me FSK-në është sabotim i qëllimshëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në seancën për ushqimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka thënë se është e papranueshme që institucioni kyç për sigurinë kombëtare të përballet me probleme të tilla.

Hisen Berisha

Ai e ka akuzuar pushtetin se po e saboton qëllimshëm FSK-në, gjë që sipas tij, duhet të ndalet. 

“Është e papranueshme që institucioni kyç për sigurinë kombëtare të përballët me probleme. Kjo çfarë po ndodh me Forcën ka vetëm një emër ‘sabotim i qëllimshëm’. Mediat që po ju shërbejnë si mjet propagande, edhe më tragjik është fakti se për katër vjet rresht e keni terrorizuar faktin se Serbia do të na sulmojë. Është koha që të ndalojmë këtë sabotim të qartë”, ka thënë ai. 


Quni: Ushqimi s’është emergjencë e papritur, mund të planifikohet me kalendar dhe transparencë

Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka vlerësuar se Ministria e Mbrojtjes duhet të sigurojë që proceset e prokurimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës duhet të jenë në përputhje me parimet e standardeve më të larta të transparencës të NATO-s.

Sipas tij, është e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme “të shpërfaqë shkeljet elementare”. 

“Ministria e Mbrojtjes nuk ka arritur që të planifikojë përfundimin e kontratës. Ushqimi nuk është një emergjencë e papritur, është diçka që mund të planifikohet me kalendar dhe transparencë. A po e bën kjo Qeveri me të vërtetë këtë detyrë jetike? Pse po dëgjojmë ende raportime për standarde, a po përdorin kompani të specializuar”, ka thënë tutje Quni në seancën që po mbahet në Kuvend për çështjen e ushqimit për ushtarët e FSK-së.

Në deklarimin e tij në seancën e jashtëzakonshme për ushqimin në FSK, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për Fondin e Sigurisë. 

Ai ka thënë se nuk është i sigurt që edhe anëtarët e tij e dinë se sa mjete janë mbledhur apo sa janë shpenzuar nga ai fond. 

“Si njeri i financave unë disa herë kam reaguar. Në vend që ne sot të diskutojmë për të rishikuar planin 10-vjeçar e për të mos ta lënë 10-vjeçar po ta bëjmë 7-8 vjeçar, ne sot diskutojmë për furnizim me ushqim të ushtrisë. Imagjinoni e ngrit alarmin për një vend fqinj me tendenca armiqësore se e ka afruar ushtrinë dhe bën fushatë në Gjermani dhe ushtrinë e ka pa ushqim”, ka theksuar Hoti.

Ai për mosreagim për këtë situatë e ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani.
 

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosoves

Mbyllet seanca për FSK-në, kërkohet që ministri Maqedonci të japë dorëheqje

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca e Kuvendit e thirrur për të diskutuar mbi gjendjen...