Partitë opozitare thanë në Kuvend se Radiotelevizioni i Kosovës është shndërruar në mjet propagande për partinë në pushtet, rrjedhimisht kërkuan shkarkim të bordit. Në Lëvizjen Vetëvendosje, brengën e opozitës e konsideruan të pasinqertë. Votimi dështoi në mungesë të kuorumit, pas braktisjes së seancës nga deputetët pushtetarë.
Parashtrimin e kërkesës e bëri deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila tha se nisma për këtë mocion është ndërmarrë gjatë sesionit pranveror të punës së Kuvendit.
Njëra ndër arsyet se pse kërkohej shkarkimi i bordit, Hoxha tha se është publikimi i një artikulli në RTK, ku akuzon dy mediume për financim nga Serbia.
Deputetja e PDK-së tha se ky lajm mund të jetë shkruar në zyrat e Vetëvendosjes.
“Kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për nënshtrimin e RTK-së ndaj partisë në pushtet, duke u bërë zëri i propagandës së tyre, e cila tashmë kontrollohet dhe i shërben edhe agjendave politike kundër kundërshtarëve politikë apo atyre mediatikë”, u shpreh Eliza Hoxha.
Me akuza u kundërpërgjigj edhe deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, njëherësh edhe kryetar i Komisionit parlamentar për media.
Ramadani tha se shqetësimet e PDK-së për punën e transmetuesit publik janë të pasinqerta.
“Në fakt halli i PDK-së nuk është fare as tek RTK-ja, e as tek shërbimi që RTK-ja u ofron qytetarëve. Halli është që këtyre u ka humbur kontrolli mbi RTK-në, që e kanë pasur me vite të tëra, u ka humbur mundësia që aty të keqpërdoret me kontrata, me mediume që kanë marrë edhe pare, edhe lajmi nga RTK-ja. E kanë hallin që në RTK punësohet tash me meritokraci, e kanë hallin që moderatorët aty nuk dridhen me mbyllje të syrit”, ka thënë ai.
Pas fjalimit, deputeti Ramdani ftoi kolegët e tij nga Vetëvendosje ta braktisin seancën.
E ftesës iu përgjigjën pozitivisht bashkëpartiakët, të paktë në numër, që kishin vendosur të merrnin pjesë në seancë.
Deputetët opozitarë vazhduan debatin.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike tha se si rezultat i kapjes së transmetuesit publik nga partia në pushtet, ata kanë vendosur ta bojkotojnë çdo emision të RTK-së.
“Si rezultat i ndërhyrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, kapjes së bordit, kapjes së politikës redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta, u dëmtua edhe interesi publik, u politizua institucioni, u shkatërrua besimi. Ne refuzuam të jemi pjesë e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë Gashi.
Në emër të AAK-së, deputeti Pal Lekaj u shpreh se RTK-ja kurrë nuk ka qenë më dobët.
“Po ju rikujtojmë që RTK është televizioni i propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk është i qytetarëve të Kosovës. Po ju rikujtojmë që katër vjet nuk është Radiotelevizioni i Kosovës por është Radiotelevizioni i Kurtit”.
Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit dhe pikat e tjera të rendit të ditës të parapara për të hënën mbetën për shqyrtim në seancat e radhës.