Arbëri

Pa konstituimin e legjislaturës së re, nuk mund të shpallen as zgjedhjet e parakohshme

Vetëvendosja dhe PDK-ja, janë dy partitë e vetme që kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme. Numri i deputetëve që kanë, është i pamjaftueshëm për ta shpërndarë legjislaturën e nëntë. Por, bazuar në Kushtetutë, zgjedhjeve të parakohshme nuk mund t’u hapet rrugë, pa e konstituuar Kuvendin paraprakisht.

Përfaqësues të dy partive me më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, janë deklaruar pro organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, në rast se nuk ka zgjidhje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Deputetja Mimoza Kusari Lila, e cila udhëhoqi grupin parlamentar të Vetëvendosjes në mandatin e shkuar, tha se nëse as të dielën nuk zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, debati duhet bërë për zgjedhjet.

“Është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diele, më 27 prill. Apo nëse e shohim me ditë kalendarike një pas një, mund të jetë nesër. Marsi i ka pasur 31 ditë, prandaj kjo situatë nuk është se mundet të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjell në një rrethanë krejtësisht tjetër, ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, është deklaruar pro zgjedhjeve të parakohshme, në rast se Vetëvendosja nuk heq dorë nga propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, pavarësisht se katër herë radhazi nuk ka marrë votat e mjaftueshme. Ai ka thënë se zgjedhjet do të duhej të organizoheshin qysh në muajin e ardhshëm.

“Ose duhet të konstituohet Kuvendi ose duhet me shku drejt një marrëveshjeje politike, të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk ka mundësi tjetër – maj a qershor, sa më shpejt mos me e majtë vendin peng nga tekat e Albin Kuritit”, u shpreh Krasniqi.

Por, zgjedhjeve duhet t’i paraprijë shpërndarja e Kuvendit. E bazuar në nenin 82 të Kushtetutës, në kontekstin e tashëm politik, shpërndarja mund të bëhet vetëm nëse për këtë votojnë 2 të 3-at e të gjithë deputetëve, për të cilën vendimmarrje nuk mjaftojnë votat e Vetëvendosjes dhe PDK-së.

Por, edhe sikur të ishin 80 deputetë, ky proces votimi nuk mund të realizohet para konstituimit, meqë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi ta zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët.