Grupi KOHA ka një mal me dokumente të ruajtura me kujdes nga Liridona që vërtetojnë dëshminë e saj në një shoqëri patriarkale, ku forca e zakonit po vazhdon ta mbisundojë atë të ligjit. Episode të betejës së saj për kthimin e kujdestarisë për tre fëmijët, pas ndarjes nga burri, janë ditët në strehimore, gjumi në parqe e rrugë, me shpresë se do ta kishte mbështetjen institucionale. Dhe ajo është vetëm një rast
Liridona e ka fituar betejën me vdekjen falë dashurisë për tre fëmijët e saj. Tani ëndrra e saj më e madhe është që t’i kthehen fëmijët dhe përdore t’i çojë në shkollë.
Deri atëherë, çdo të dytën të mërkurë niset – herë nga Prishtina e herë nga Tirana – drejt Obiliqit. Në mjediset e Qendrës për Punë Sociale e kalon një orë të plotë me fëmijët e saj. Koha dhe vendi i takimit janë përcaktuar me vendim të gjykatës, pasi më 2018 prishtinasja 35-vjeçare, e lodhur me shpirt, vendosi t’i jepte fund martesës me tashmë ish-bashkëshortin e dhunshëm. Të zezat nuk iu ndanë jetës së saj martesore. Prej vitit 2010 nisi t’i raportonte edhe në stacionin policor lokal. Të mërkurën me diell të mestetorit, kaltërsinë e qiellit e prishnin oxhaqet e mëdha që villnin tym të bardhë nga termocentralet e Obiliqit. Qejfin ia kishte prishur edhe ish-bashkëshorti, i cili nuk ia solli edhe të bijën në takim me pretendimin se ishte në shkollë.
Në sheshin e qytezës djem e vajza flasin e qeshin pas kryerjes së mësimit.
Kur edhe familja të konsideron “të derës së huaj”
“Unë kisha mujt me prit derisa ta kish kry çika mësimin”, thotë me pezëm Liridona, e cila ka kërkuar që pos emrit, të mos i publikohet mbiemri – derisa për emisionin “Cosmo” në KTV ka folur me kusht që të mos i identifikohet fytyra dhe t’i ndryshohet teknikisht zëri.
Megjithatë, Grupi KOHA ka një mal me dokumente të ruajtura me kujdes nga Liridona që vërtetojnë dëshminë e saj në një shoqëri patriarkale, ku forca e zakonit po vazhdon ta mbisundojë atë të ligjit.
Pas kërkesës për ndarje tre vjet më parë, Liridonën nuk e pranoi as familja e prindërve, që edhe më parë e kishte shtyrë të kthehej te burri, i cili bashkë me vjehrrin e ndjerë “më kanë rrahur disa herë”. Në dokumente është edhe dëshmia që përshkruan se si në një rast vjehrri e kishte rrahur së pari mbesën, pastaj të birin dhe renë.
Edhe një tjetër dëshmi e mendësisë që mendon se “vajza është e derës së huaj” e që ngulmon se “çikës nuk i takon hise te baba”. Liridona ka qëndruar në strehimore e ka fjetur në parqe e rrugë me shpresë se do ta kishte mbështetjen institucionale. Por edhe gjykata nuk ia aprovoi kujdestarinë, pasi më 2018 Liridona me 75 eurot e ndihmës sociale po banonte me qira bashkë me dy studente në Prishtinë.
Gjatë disa takimeve Liridona ka rrëfyer kronologjinë e jetës familjare.
Për hatër të çikës
Në vitin 2010, një jetë e re kishte nisur për të. Pavarësisht sfidave qysh në fillim të martesës, lindja e vajzës do t’ia ndryshonte jetën.
“Unë për herë të parë kam qenë në strehimore dhe kam qëndruar nja tre muaj gati”, kujton Liridona largimin e parë nga shtëpia. “Por për shkak të shtatzënisë që e mora vesh se jam shtatzënë me çikë, që sot është 11 vjet, është dashtë me u kthy”, thekson ajo. “Edhe jam kthy. Kam mendu se ka me pasë ndryshime, por ndryshime nuk ka pasë kurrgjë”.
Me gjithë problemet e dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti dhe vjehrri i ndjerë që nga fillimi i jetës bashkëshortore, vendosi të sakrifikonte për fëmijët. Pas vajzës do të lindnin edhe dy djemtë. Në dokumente ishte lëshuar një urdhër-mbrojtje nga gjykata për vjehrrin më 2016. Çifti jetonte në të njëjtin oborr me prindërit e ish-burrit, por ndaras me banim.
“E ka pasë të ndalune me hy n’shtëpi teme një vjet e diçka, por prapë fillun, por thashë ‘hajt të mos shkoj me polici se çdo vjet nuk shkohet me polici’”, shton ajo. “Kam shkuar për herë të parë (në polici) më 2010-n, 2013-n, 2016-n dhe 2018-n”.
Familja i kërkoi që ta duronte dajakun për hatër të fëmijëve. Teksa tregon videoxhirime celulari nga takimet me dy djemtë dhe vajzën, Liridona thotë se “fëmijët shumë mirë sillen”.
“Nuk kallxojnë dhe nuk folin, por edhe unë nuk du me i ngarku fëmijët me këto problemet që i kemi unë edhe ai”, thotë ajo mes lotësh. Me “ai” i referohet ish-bashkëshortit.
S’ka liri pa pronë
Aktivistja Luljeta Aliu thotë se gratë e shkurorëzuara përballen me shumë sfida për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale dhe paragjykimeve e stigmatizimeve shoqërore në shoqërinë patriarkale të Kosovës.
“Vetë koncepti i lirisë dhe i pavarësisë së njeriut lidhet dhe është lidhur gjithmonë me pronën, edhe në filozofinë politike e të tjera”, thekson Aliu, drejtoreshë e nismës për drejtësi dhe barazi gjinore “Inject”. “Liria pa pronë nuk është e mundur për shkak se ta mundëson mbijetesën, ta mundëson ekzistencën”.
“Sigurimi i të drejtave të grave në pronë përmes ngritjes së kapaciteteve institucionale”, shkruan poshtë logos së “Injectit”.
Aliu thotë se që në momentin që prindërit nuk i përfshijnë vajzat në trashëgiminë e pronës, e kanë shumë të vështirë që të pavarësohen në përgjithësi “e ndoshta edhe të pavarësohen prej një martese ndoshta edhe abuzive”.
“Gratë duhet ta durojnë dhunën”
Shqetësuese janë duke u konsideruar perceptimet e qytetarëve për barazinë gjinore dhe dhunën mbi baza gjinore. Sipas një hulumtimi të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, mbështetur nga “UN Women”, një e dhjeta e qytetarëve të Kosovës mendojnë se gratë duhet ta durojnë dhunën nga burrat.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë, gjatë prezantimit të të dhënave të hulumtimit, se e drejta e grave për të jetuar pa dhunë varet nga mbrojtja e shtetit.
“Gati një e treta e qytetarëve kosovarë pajtohen plotësisht se burrat janë të dhunshëm për nga natyra”, ka treguar ajo të dhëna terreni. “Ndërsa më shumë se një e dhjeta pajtohen se gratë duhet ta durojnë dhunën për të mbrojtur familjen e saj dhe për të qëndruar me familjen e saj”.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se gratë po vriten dy herë, edhe nga neglizhenca e institucioneve.
“Shkeljet që ndodhin në këto raste, në të gjitha fazat, polici, prokurori, thjesht e tejkalojnë neglizhencën”, ka thënë ai, duke shtuar se monitorimi ka treguar se shpesh krijohet përshtypja se zyrtarët publikë nuk janë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë gratë që kanë nevojë për dorën e shtetit.
Liridona e ka përjetuar vetë mungesën e mbështetjes institucionale. Tash e tre vjet ka pritur nga Komuna e Obiliqit që t’i bëjë zgjidhje strehimi me qëllim që t’i lejohet kujdestaria për fëmijët.
Heshtja e Komunës
Për rastin e saj Komuna e Obiliqit nuk i ka kthyer përgjigje as kërkesës së KOHËS, dërguar të premten e javës së kaluar me pyetje për kërkesat e Liridonës për banim dhe respektim të orarit të takimit me fëmijët.
Zëdhënësja Arba Mirena ka përcjellë vetëm një përgjigje të shkurtër të Qendrës për Punë Sociale, që thotë se po vepron në pajtim me vendimin e gjykatës, ani pse të mërkurën e mestetorit Liridonës fare nuk iu soll vajza në takim. Liridona thotë se i është bërë presion se pse i paralajmëroi se rastin do ta paraqiste në media.
Zyrtarët lokalë e ata qendrorë vazhdimisht premtojnë publikisht mbështetje për luftimin e dhunës në familje.
“Komuna e Obiliqit as nuk ka punuar në rastin tem. E din se qe njëmbëdhjetë vjet unë kam jetu në Obiliq”, thekson ajo, duke treguar se vetë kryetari Xhafer Gashi i kishte kërkuar gjatë takimeve që të shtronte kërkesë zyrtare për banim. “E kam bërë kërkesën, por kur është kthyer kërkesa, kanë thënë ‘jo’”.
Derisa ajo niset drejt objektit të Qendrës për Punë Sociale, në shesh një nënë mban përdore të birin me çantën në shpinë rrugës për në shkollë.
Në shtëpinë e Dava Gjergjit
Pos strehimores për mbrojtjen e fëmijëve dhe grave, Liridonën e kanë strehuar edhe këngëtarja Dava Gjergji dhe një mikeshë e saj në Tiranë.
“Po, kam nejt te Dava Gjergji dhe te një shoqe e saj Xhoana”, thekson ajo. Liridona ka shtatë vjet që takohet me këngëtaren që e adhuron. “Dava dhe kjo shoqja e saj kanë investu në mu dhe më kanë mbajtur n’shpi në strehim të përkohshëm derisa të këqyrim të bëhet një zgjidhje në Kosovë”, shton Liridona. “Shteti i Kosovës asnjëherë”.
Gjatë një videolidhjeje me viber, Gjergji ka folur për lidhjen e saj me Liridonën dhe për ndihmën ofruar asaj.
“E kam taku në Prishtinë, e kam pi një kafe. Një grua shumë e lëndune, më tha.... më ka prek”, thekson ajo. “Më tha jam adhuruese jotja edhe si e vogël, edhe mu ngjit mu Dona si magnet nga dashuria që kishte për mu”.
Gjatë diskutimit dhe prezantimit të të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e tij po angazhohet që të zbatohen hapat dhe masat që kërkohen nga institucioni që drejton. Ka shtuar se do të merren përsipër obligimet që parasheh Konventa e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“Ky vizion mbështetet në një synim të thjeshtë: që asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën e dhunës dhe se çdo vajzë duhet të rritet duke e ditur se është e sigurt”, ka thënë Kurti.
“Burrit i teket, i teket...”
Në publikimin e “Incejtit”, “Dhuna ekonomike shkel të drejtën themeloret të njeriut në pronë”, thuhet se e drejta e njeriut në pronë është me rëndësi fondamentale, veçanërisht kur ajo shërben si bazë për realizimin e të drejtave të tjera. Ajo nuk limitohet në asetet ekzistuese, por përfshin edhe asete të cilat një individ nuk i ka, por për to ka pritshmëri legjitime.
“Ne e shohim se në Kosovë çdo ditë po rritet dhuna ndaj grave. Po e shohim fatkeqësisht edhe në media në format më brutale, domethënë, trajtohen gratë”, thekson ajo. “Ajo që shihet, dhuna fizike, domethënë është maja e Ajsbergut, format e tjera domethënë janë shumë më të larta, sidomos dhuna ekonomike, dhuna psikologjike, ku gratë duhet të jetojnë me frikën e ndëshkimit dhe të abritraritetit të forcës së burrit. I teket, i teket. I teket, është keq, është nervoz. E shan, e ofendon, deri edhe dhunë fizike”.
Aliu thotë se mungesa e pronës dhe e punës i shtrëngon gratë të durojnë, madje në disa raste deri në fatalitet. “Me duru edhe deri kur vriten, sepse nuk kanë ku me shku, nuk kanë kulm mbi kokë, madje nuk e kanë as mbrojtjen institucionale”.
Aliu thotë se edhe prokurorët dhe gjyqtarët po veprojnë nën dominimin e mendësisë patriarkale që e shtyp gruan.
“Mungesa në barazi dhe drejtësi i nxit normat sfiduese patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bëjnë edhe më të ashpër dhe më të dukshme këtë”, ka thënë Kurti. “Kjo ngufatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë”.
Lufta e fituar kundër depresionit
Në hulumtimin tjetër të “Injectit”, “Dhuna në familje si ngjarje traumatike”, me autore psikologen Vjollca Pllana, thuhet se dhuna në familje, përpos që është forma më e shpeshtë e dhunës ndaj grave dhe është vepër penale, në shumicën e rasteve shpie në çrregullime të shumta të shëndetit fizik dhe emocional.
Sipas hulumtimeve psikologjike, dhuna në familje shpeshherë ka për pasojë edhe traumën dhe çrregullimet e stresit post-traumatik dhe madje edhe depresionin. Meqë dhuna në familje në Kosovë dhe në botë deri vonë është trajtuar si çështje private, fare pak u është kushtuar vëmendja e duhur pasojave të saj për shoqërinë.
Liridona ka provuar edhe të bëjë vetëvrasje më 2020. Shfleton dokumentet që dëshmojnë trajtimin e pastajmë mjekësor dhe vlerësimet e psikologes për depresionin dhe shenjat e paralajmërimit të vetëvrasjes edhe gjatë kohës sa kishte qëndruar në strehimore.
“Po të kallxova, shteti nuk të ndihmon, sidomos nanave vetushqyese, asnjë trohë. Kam qëndruar gjashtë ditë në spital, e mora veten dhe shkova menjëherë në Tiranë se s’kisha ku me nejt. A rrihet tash rrugëve”, shtron Liridona pyetjen retorike. “Borë, shi”, thotë ajo, duke treguar për ndihmën e ofruar nga e adhuruara e saj Dava Gjergji.
“Ishte me ilaçe depresioni, dhe pas tri ditësh që e varrosa nënën, e pyeta: ‘Donë, pse i ke këto ilaçe?’ Më tha: ‘Jam në depresion’. Më erdhi keq”, tregon Gjergji. “I thashë një fjalë: ‘A ke mundësi për t’i lënë?’ ‘Oo’, tha, ‘për ty baj gjithçka unë’”.
Gjergjit do t’i bëhej qejfi që Dona, sikurse i referohet vazhdimisht, më nuk po i merrte ilaçet kundër depresionit. “I la ilaçet, s’i piu ma, edhe oo, mashallah, u kënaqa”.
Së fundmi, Liridona ka marrë veten dhe beson se sigurimi eventual i banimit të përhershëm do t’ia hapte rrugën ligjore për marrjen e kujdestarisë së fëmijëve.
Deri atëherë, mezi pret çdo të dytën të mërkurë për të marrë udhën drejt qytezës së Obiliqit për t’i takuar fëmijët. Derisa sheh nënën me fëmijë përdore në shesh, beson fort se një ditë drejtësia e vonuar do t’ia kthejë fëmijët që t’ua shtrëngojë fort dorën rrugës për në shkollë.