Komuna çdo herë promovon përdorimin e trotineteve elektrike si mjet transporti, në mënyrë që të ketë shkarkim të komunikacionit.
Megjithëse, vetë ajo nuk ofron kushtet e duhura.
Përveç mungesës së shtigjeve të veçanta, qytetarët që përdorin trotinetin si mjet transporti nuk iu lejohet qasja në autobusët e “Trafikut Urban”.
Një gjë e tillë i ka ndodhur Driton Mehmetit, i cili thotë se pa asnjë arsye nuk është lejuar të hipë në linjën 4, pasi ishte me trotinet.
Në atë kohë, Mehmeti thotë se ka qenë me fëmijë dhe e ka pasur të pamundur që të udhëtojë me trotinet.
“Erdh autobusi nuk është vonuar shumë dhe kur erdh më tha që nuk lejohet me hipë edhe nuk më dhanë ndonjë arsye. Unë vendosa me thirr Trafikun Urban dhe i thirra në telefon. Një zyrtar më tha që nuk lejohet se na ka ndodhur dy raste kur është thyer xhami dhe komuna ka vendos mos t’i lënë”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, ky vendim është i palogjikshëm.
“Ky arsyetim është i palogjikshëm sepse në krejt botën në rast se bie shi ose mbet pa bateri duhet të përdorim Trafikun Urban sepse është në shërbim të qytetarëve. Nuk shoh ndonjë rrezik se njerëzit me trotinete mund të shkaktojnë ndonjë problem brenda në autobusë. Është i palogjikshëm ky vendim kushdo që e ka marrë”, ka shtuar ai.
Këto vendimet po del të jenë marrë krye në vete nga konduktorët e “Trafikut Urban”.
Tetuta Krasniqi, zëdhënëse e “Trafikut Urban”, thotë se në rregullore nuk ceket se nuk lejohet futja e trotineteve në autobusë.
“Në bazë të rregullorës për rregullimin e transportit në komunën e Prishtinës, biçikletat dhe trotinetët nuk janë as të lejuara as të ndaluara. Rregulluroja është miratuar në vitin 2013. Përderisa kemi ankesa do të marrim një vendim së bashku me komunën”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, së shpejti do të punojnë në nxjerrjen e një vendimi.
“Ne deri më tani nuk kemi qenë të njoftuar për ndalimin ose lejimin, ankesa e parë që kemi marrë prej jush. Prandaj ne këtë ankesë do të shqyrtojmë dhe deri në një vendim nuk do të lejohen pasi ka fluks të madh të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Komuna e Prishtinës nuk ka marrë përgjegjësi. Në një përgjigje për KOHËN ajo thotë se këto vendime i takojnë vetë “Trafikut Urban”.