Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thënë se ish-presidentit Hashim Thaçi i është refuzuar ardhja në Kosovë për rastin e vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi.
Në reagimin e bërë në Facebook, kjo organizatë ka shkruar se Thaçi s'u lejua të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit që do të mbahet të martën (18 mars), derisa këtë e ka cilësuar akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Dhomave të Specializuara, duke thënë se po synon të poshtërojë dhe degradojë jo vetëm Thaçin, por tërë luftëtarët.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit tonë, ish presidentit Hashim Thaçi qe të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij. Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t'i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Kjo organizatë iu ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten.
“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!”, thuhet tutje.
Krasniqi: I padrejtë dhe i papranueshëm vendimi i Speciales
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur të padrejtë dhe të papranueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara që t’i refuzohet kërkesa ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait.
Krasniqi e ka quajtur diskriminim dhe arbitraritet vendimin e Speciales.
“Refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm. Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por çnjerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj. Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë. E dhembshme dhe e papranueshme!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Thaçit s’iu lejua pjesëmarrja në varrimin e babait, Haxhiu: Do t’i drejtohem Speciales
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se do t’i drejtohet Dhomave të Specializuara që s’ia lejuan ish-presidentit Hashim Thaçi pjesëmarrjen në varrimin e babait.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave të njeriut, derisa e quajti absurd vendimin e Speciales.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Haxhiu.
Rama e quan të ulët vendimin e Speciales që ia refuzoi Thaçit pjesëmarrjen në varrimin e babait
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të ulët vendimin e Dhomave të Specializuara që ish-presidenti Hashim Thaçi të mos marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Rama ka shkruar në rrjetin social X se Gjykata Speciale e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, duke thënë se të drejtat demokratike janë kthyer në fjalë boshe.
“Një turp i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”, ka shkruar Rama të hënën.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thënë se Thaçit i është refuzuar pjesëmarrja në varrimin e babait, Haxhi Thaçi.
KOHA ka dërguar pyetje te Dhomat e Specializuara mbi këtë çështje, por s’kanë kthyer përgjigje deri në momentin e raportimit.