Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalias.

Osmani atje do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë.

Po ashtu, ajo do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Presidenca. 

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Forumi Diplomatik i Antalias është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Siria i referohet Kosovës si Republikë

1 j. më parë / 11 pri 2025 18:24
Vjosa OSmani Ahmad Al-Sharaa

Siria nuk e njeh Kosovën si shtet, por në njoftimin e Presidencës siriane për takimin e presidentit të saj me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shtetit të Kosovës i referohet me Republikë.

“Presidenti Ahmad Al-Sharaa, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Asaad Al-Shaibani, u takuan me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në margjina të Forumit Diplomatik të Antalias”, thuhet në njoftimin e uebfaqes së Presidencës në Siri.

“Hapje të kapitujve të rinj” në mes të Kosovës dhe Sirisë gjatë ditës paralajmëroi edhe Osmani. Pas takimit me Al Sharaan, ajo tha se dy shtetet ndajnë plagë të njëjta.

“Populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë. Sot, me Presidentin e Sirisë së lirë, z. Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për ta hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani takon presidentin e shtetit që Serbia pretendon se e ka çnjohur Kosovën

1 j. më parë / 11 pri 2025 17:37
Vjosa OSmani - Sierra Leone

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të premten presidentin e Republikës së Sierra Leones. E për këtë shtet Serbia ka pretenduar se e ka çnjohur Republikën e Kosovës.

Në një njoftim të Presidencës për takimin e Osmanit me Julius Maada Bion bëhet e ditur se dy presidentët kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Osmani e Maada Bio u takuan në margjina të “Forumit Diplomatik të Antalias”. Osmani ka thënë se kanë shkëmbyer ftesa për vizita në shtetet respektive, teksa raportet shtetërore i ka cilësuar miqësore.

“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio. Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Gjithashtu, diskutuam edhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Shkëmbyem po ashtu ftesat për vizita respektive në vendet tona, për t`i forcuar më tej lidhjet tona miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sierra Leone është vetëm një 28 prej shteteve që sipas Serbisë kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Pretendimi se ky shtet afrikan ka tërhequr njohjen ishte bërë më 3 mars 2020 nga ministri i Jashtëm i asaj kohe i Serbisë, Ivica Daçiq. Ishte organizuar edhe një ceremoni.

E në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Republika e Sierra Leones është në mesin e 117 shteteve që e njohin Kosovën si shtet. Ditë më parë Kosovën e njohu edhe Kenia duke u bërë shteti i 118-të, por që ende nuk figuron në listë.

Njohja nga Sierra Leone ishte zyrtarizuar më 11 qershor 2008.

Osmani takon presidentin e Sirisë: Po hapim kapituj të ri bashkëpunimi

1 j. më parë / 11 pri 2025 14:30
osmani - Al Sharaa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Sirisë, Ahme dal-Sharaa, të premten në Turqi ku do të mbahet Forumi Diplomatik. 

Osmani ka thënë se ky takim i parë me presidentin sirian hap “kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve”. 

“Populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë. Sot, me Presidentin e Sirisë së lirë, z. Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për ta hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani për Erdoganin: I qëndroi Kosovës pranë gjithmonë

1 j. më parë / 11 pri 2025 12:40
Osmani Erdogan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të premten. 

Ajo e ka quajtur presidentin turk zë të "fuqishëm të miqësisë dhe vizionit të përbashkët".

"Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses. Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen", u njoftuar përmes komunikatës.

Osmani po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit të Antalias.