Arbëri

Osmani: Udhërrëfyes e kemi sakrificën e dëshmorëve

Është shënuar Dita e Dëshmorëve të Prishtinës, gjatë së cilës përfaqësues të lartë shtetërorë bënë homazhe te varrezat në “Velani” dhe te shtatoret e heronjve. Presidentja Osmani theksoi se sakrifica e dëshmorëve është udhërrëfyes për secilin e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ata na rikujtojnë çdoherë çmimin e lirisë dhe dashurinë e madhe për vendin

Kurora lulesh janë vendosur të premten në varreza të dëshmorëve në kryeqytet, për të kujtuar rënien e 27 dëshmorëve, 16 martirëve, si dhe 115 civilëve të vrarë në masakrën më të madhe në Komunën e Prishtinës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se themelet më të forta të shtetit qëndrojnë për shkak të sakrificës së dëshmorëve.

“Këtu në ‘Velani’ prehen një numër i madh i dëshmorëve të cilët kanë dhënë jetën për Kosovën, që është edhe një dëshmi për luftën e gjatë, për lirinë, për pavarësinë dhe shtetin që e gëzojmë sot. Prandaj, i përkujtojmë të gjithë me respektin më të thellë dhe çdo ditë udhërrëfyes e kemi pikërisht sakrificën që dhanë këta dëshmorë në tokën e Kosovës, e cila është e larë më gjak”, ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me anëtarë të kabinetit, si dhe me një numër deputetësh e asamblistësh të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka bërë homazhe fillimisht te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve, e më pas te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

“Dëshmorët dhe martirët i kujtojmë gjithmonë për veprat e tyre sublime, e ata na rikujtojnë çdoherë çmimin e lirisë dhe dashurinë e madhe për vendin. I vizitojmë për t'u përkulur para tyre, e i nderojmë më së miri duke e forcuar çdo ditë e më shumën Republikën tonë të dashur”, ka deklaruar Kurti.

Nderime ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i shoqëruar nga ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.

“Kjo ditë do të jetë e tillë për çdo vit e mot, çdoherë. Dëshmorët e heronjtë tanë i kemi gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona”, është shprehur Rama.

E Rrustem Mustafa tha se sakrifica e të rënëve do të nderohet gjatë.

“Sot është ditë e madhe për Prishtinën, është dita e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. I uroj të gjithë qytetarët, familjet e dëshmorëve, ushtarët e UÇK-së dhe qytetarët në përgjithësi... Po i nderojmë me ato mundësi që i kemi dhe do t’i nderojmë për gjatë”, ka thënë Mustafa.

Homazhe kanë bërë edhe familjarë të dëshmorëve e qytetarë të tjerë.