Gani Osmani nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se në bazë të informacioneve që ka, minatorët do të rikthehen në punë nga sonte.
Minatorët e “Trepçës” ishin në grevë nga 14 qershori për shkak të vonesave të ekzekutimit të pagave. Ata përballen shpeshherë me një gjë të tillë.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Osmani ka thënë se drejtori i minierës së “Stan Gërgut” ka pasur dje vonë një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me të cilën janë pajtuar që puna në minierën e “Trepçës” të nisë sonte me ndërrimin e tretë.
Sipas tij, ka pasur garancë nga ministrja që pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.
“Sipas informacioneve që i kam, sot do të nisë punën ndërrimi i tretë, ndërsa nga nesër, do të zhvillohet puna me tri ndërrime”, ka thënë Osmani, duke shtuar se minatorëve po u imponohet mbajtja e grevës.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve ka përsëritur që kushtet e tyre janë më së keqi se çdo vend evropian. Ka bërë thirrje që të punohet për përmirësimin e kushteve.
“Kemi pas premtime për përmirësimin e kushteve, por asnjë nuk është realizuar. Jemi pa sigurime shëndetësore, pa kushte bazike, me mjete të stërvjetëruara, rrezik gjatë gjithë kohës, tym, lagështi të ajrit”, ka deklaruar Osmani.