Arbëri

Osmani: Të emërtojmë kopshte, rrugë, sheshe me emra grash

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të emërtojë sa më shumë rrugë me emra grash.

Në fjalimin e saj para Kuvendit Komunal në kryeqytet, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Osmani ka thënë se vetëm 9.8 për qind e rrugëve në vend janë me emra grash.

“Ne duhet ta ndryshojmë këtë qasje dhe të bëjmë sa më shumë emërtime të rrugëve me emra grash, sepse ato na kanë bërë nder gjatë historisë, prandaj ne duhet t’i nderojmë ato. Ta ndjekim këtë rrugë kur emërtohen kopshte, rrugë, sheshe e çfarëdo tjetër. U bëj thirrje të gjitha grave të kërkojnë të drejtat e tyre sepse vetëm atëherë merrni atë që ju takon”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja e ka vlerësuar 8 Marsin si ditë që duhet të shërbejë si kujtesë për t’u angazhuar më shumë për të drejtat e grave.

“Të punojmë së bashku burra e gra, që secila vajzë e grua e Kosovës të vlerësohet e respektohet ashtu siç e meriton”, ka thënë ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kjo komunë “po bën arritje të mëdha në barazimin gjinor”.

“Emri si Dua Lipa, Rita Ora, presidentja Vjosa Osmani, Atifete Jahjaga, Majlinda Kelmendi e lista vazhdon ende deri te shkencëtaret, gratë po dëshmojnë se kanë krejt çka duhet për të pasur sukses, madje edhe ndërkombëtar. Jemi krejtësisht të qartë në misionin tonë. Komuna e Prishtinës po bën arritje të mëdha në barazimin gjinor, që në fillim të mandatit e kemi 50 me 50, pra kemi gra në kabinetin tonë si udhëheqëse të drejtorive e në çdo sektor tjetër. Do vazhdojmë të punojmë për mundësi të barabarta për paga të barabarta në të gjitha fushat”, ka thënë Rama.

Ai ka përmendur edhe mamografin falas për gratë, e përkrahjen financiare për viktimat e dhunës në familje. Sipas tij, komuna e ka prioritet edhe fuqizimin e gruas në zonat rurale.