Arbëri

Osmani takon presidenten e Sllovenisë, ajo i ofron mbështetje për anëtarësim në KiE

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe ajo e Kosovës, Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Pas takimit në një konferencë të përbashkët për media, presidentja sllovene ka thënë se Kosova e ka mbështetjen e Sllovenisë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Do t’ju mbështesim gjatë gjithë rrugës”, është shprehur ajo.

Pirc Musar ka thënë se uron që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës dhe se fazë tjetër është edhe integrimi në Bashkimin Evropian. 

“Shpresoj të jetojë gjatë sa të shohë integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet, sepse e meritoni”, shprehur ajo.

Ajo ka folur edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se inkurajon që në këtë proces të përfshihen sa më shumë gra. 

“Jam shumë e sigurt se Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për popullin”, ka theksuar Pirc Musar.

Osmani ndërkohë ka theksuar se raportet me Slloveninë janë jo vetëm miqësore, por edhe të shkëlqyeshme. 

“Sllovenia ka mbështetur vazhdimisht Republikën e Kosovës edhe para vitit 1199 me prezencën në trupat e KFOR-it ka mbështetur pavarësinë tonë dhe që nga atëherë kemi arritur që të zhvillojmë marrëdhëniet bilaterale”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë e familjes euroatlantike.

“Organizata që do të votohet shpejt është Këshilli i Evropës. Prandaj vota e nesërme në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës e pastaj edhe në Këshillin e Ministrave janë vota pro të drejtave të njeriut. Besojmë dhe shpresojmë në përkrahjen e Sllovenisë përderisa bëjmë hapa të sigurt  të merituar drejt familjes evropiane”, ka deklaruar Osmani.

Pric Musar ka qëndruar në Kosovës ku ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.