Arbëri

Osmani takon Macronin: Flasin për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës

Emmanuel Macron dhe Vjosa Osmani

E përditësuar në 11:30 - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Në këtë takim, sipas Osmanit, kanë diskutuar për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës.

“Dje, me Presidentin Macron, diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, në partneritet me aleatët tanë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Takimi është zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, ku presidentja po e përfaqëson Kosovën në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Presidentja Osmani ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin belg Alexander de Croo. 

Sipas njoftimit të Presidencës në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani e ka falënderuar kryeministrin De Croo për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën.

“Diskutuam rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe angazhimin tonë të përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, citohet të ketë thënë Osmani.

Ajo ka takuar edhe kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof.

LEXO EDHE: