Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me liderë botërorë në Samitin ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale, ku tha se këto takime shfrytëzohen për forcim të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike që hapin mundësi të reja.
Osmani njoftoi në Facebook se është pritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe është takuar me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, kryeministrin indian, Narendra Modi, kryeministri kanadez, Justin Trudeau dhe me liderë të kompanive Google, OpenAI dhe Alibaba.
Presidentja e Kosovës tha se kanë diskutuar mbi temat që janë në interes të qytetarëve.
“Në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat. Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë”, ka thënë Osmani.
Osmani takon zëvendëspresidentin amerikan, i shpreh përkushtimin për thellim bashkëpunimi
Presidentja Vjosa Omani ka takuar zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se me këtë rast Osmani ka “shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën me SHBA-të, duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Takimi ka ndodhur në Paris, ku Osmani po qëndron për të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencë Artificiale.