Arbëri

Osmani takon komandantin e KFOR-it pas shpërthimit në Ibër-Lepenc

Osmani

Presidentja Vjosa Osmani të shtunën ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Në këtë takim, sipas njoftimit, Osmani ritheksoi se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, “duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare”.

“Presidentja shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar e poashtu falënderoi KFOR-in, i cili menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Osmani takon edhe ambasadorët e QUINT-it e atë të BE-së

4 muaj më parë / 30 nën 2024 13:44
Osmani - QUINT

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend. Më herët takoi edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani. 

Osmani ka thënë se sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës. 

“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë  për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.  

Në të njëjtën kohë, Osmani theksoi se sulmet, sikurse ky i fundit, synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.

Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, duke theksuar se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.

Presidentja do t'i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend gjatë ditës.