Arbëri

Osmani takohet me Ramën

Vjosa Osmani dhe Edi Rama

Foto: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Bashkë me Ramën ka qenë edhe ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema. 

Mediat janë lejuar të marrin pamje te pritja para objektit të Presidencës, ndërkohë që nuk është paraparë të mbahet ndonjë konferencë e përbashkët për media.

“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama!”, ka shkruar Osmani në Facebook në postimin ku ka shpërndarë edhe një fotografi me kryeministrin shqiptar.

Rama gjatë ditës do të takohet edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Me këtë rast, atij do t’i ndahet “Çelësi i qytetit”.

Rama gjithashtu do të marrë pjesë në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”, ku do të jetë një prej folësve kryesorë.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Rama nuk është paraparë që të zhvillojë ndonjë takim me kryeministrin, Albin Kurti. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka folur lidhur me ndonjë takim të mundshëm me Ramën. 

“Kemi seancë në ora 10:00”, ka thënë Kurti, kur nga EO-ja është pyetur nëse do të ketë ndonjë takim me homologun e tij shqiptar.

Ai këtë koment e ka bërë para se të niste seanca solemne, ku deputetëve u është adresuar ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.