Arbëri

Osmani sot i takon përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve

Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i takojë sot përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve.

Takimi është paraparë të nisë në orën 14:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës. Partitë politike e kanë konfirmuar shkuarjen në takim.

“Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive  politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pas takimit, Osmani do ta mbajë konferencë për media.

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka deklaruar ditë më parë se Kosova ka hyrë në afate të rregullta të caktimit të datës së zgjedhjeve.

“Kemi ardhur në afate të rregullta dhe s’ka si ndryshe, subjektet mund të propozojnë diçka, të mohojnë. Në shkurt, ka një fleksibilitet, thuhet në ligj 40 ditë para përfundimi të mandatit, ë këtë interval kohor të mbaheshin zgjedhjet”, ka theksuar Baraliu në “Interaktiv” të KTV-së.

Zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës nga 26 janari deri më 16 shkurt 2025.