Arbëri

Osmani s’e sheh kërcënim zgjedhjen e Trumpit, pret thellim të bashkëpunimit Kosovë-SHBA

Droja e shprehur në Kosovë për zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së është “amortizuar” nga presidentja Vjosa Osmani të enjten. Udhëheqjen e administratës amerikane nga Donalad Trumpi ajo nuk e sheh kërcënim për Kosovën. E, në PDK thonë se raportet me SHBA-në nuk varen nga fituesi i zgjedhjeve në Uashington, por nga udhëheqësit institucionalë në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani nuk e sheh kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Donald Trumpit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të enjten para Samitit të Komunitetit Politik të Evropës në Budapest, ajo ka thënë se zgjedhja e tij do ta forcojë bashkëpunimin mes dy shteteve.

“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën Trump. Bashkëpunimi i fuqishëm mes Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë”, ka thënë Osmani.

Zgjedhja e Trumpit në krye të SHBA-së, sipas sekretares së përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, nuk do të ndikojë në orientimet strategjike ndaj Kosovës.

Ajo ka kritikuar udhëheqjen në vend si fajtore për ftohje të marrëdhënieve edhe me Administratën Trump.

“Natyra e raporteve të SHBA-së me Kosovën nuk varet vetëm nga kush i fiton zgjedhjet atje, por edhe nga kush i udhëheq institucionet këtu. Ne në katër vjetët e fundit e kemi pasur në ShBA një president që ka qenë i familjarizuar deri në detaje me çështjen e Kosovës dhe i përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe Ballkan në tri dekadat e fundit. Joe Biden ka qenë dhe vazhdon të jetë mik i madh i Kosovës. Mirëpo, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme, aventureske të kryeministrit tonë, të qeverisë dhe institucioneve tona fatkeqësisht raportet me ShBA-në kanë arritur nivele që s’i kemi parë më herët. Jashtëzakonisht të ftohura dhe pa ndonjë gjë konkrete”, ka thënë Çitaku.

Pas shpalljes së fitores, përveç Osmanit, bashkëpunimin me Trumpin kanë deklaruar se mezi e presin edhe kryeministri Albin Kurti e kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Por ligjëruesi në universitetin “John Hopkins” në SHBA, Edward Joseph, pret që shefi i ekzekutivit kosovar të përballet me zgjidhje të vështira.

E kjo, sipas tij, veçanërisht nëse ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, emërohet sekretar i Shtetit ose në një pozitë tjetër të lartë në administratën Trump.

“Kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet [në Kosovë]  dhe pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden”, ka thënë Joseph.

Gjatë mandatit të parë presidencial Trumpi i bëri presion lidershipit në Kosovë dhe Serbi për marrëveshje. Në fund të mandatit një e tillë u firmos në Shtëpinë e Bardhë, falë së cilës u sigurua njohja e pavarësisë nga Izraeli.  

Menjëherë pas shpalljes së fitores nga Trumpi, media kredibile ndërkombëtare raportuan se Richard Grenell pritet të jetë këshilltar për siguri kombëtare.