Ka nisur takimi në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit të Letonisë Edgars Rinkevics. 

Pas takimit që po mbahet në zyrën e Presidencës në Prishtinë, Osmani dhe homologu i saj letonez do të mbajnë konferencë të Përbashkët për media. 

Rinkevics do të qëndrojë në Prishtinë edhe të premten.

Rinkevics: BE-ja duhet t’ia heqë masat Kosovës, sa më shpejt aq më mirë

4 j. më parë / 20 mar 2025 14:44
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics,

Photo: Driton Paçarada

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të heqë sa më shpejt masat kufizuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i vendosi gati dy vjet më parë.

“Qëndrimi i vendit tim është që BE-ja duhet t’i heqë ato masa. Për këtë avokojmë dhe sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë do të jetë”, ka deklaruar ai në konferencë për media pas takimit me homologen Vjosa Osmani në Prishtinë.

Rinkevics theksoi se gjatë takimit me Osmanin është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen që BE-ja mund të ofrojë për Kosovën.

Presidenti letonez theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, si dhe theksoi mbështetjen e Letonisë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.

Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të premtojë që Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE deri në fund të vitit, duke theksuar se një vendim i tillë kërkon unanimitet nga të gjitha vendet anëtare.

Në fund, ai përgëzoi Kosovën për harmonizimin me politikat e BE-së dhe mbështetjen e saj për Ukrainën, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet një çështje me rëndësi të madhe për Bashkimin Evropian.

Ai gjithashtu paralajmëroi vizitë te trupat letonezë që janë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.

Osmani: Letonia e kupton më së miri pozicionin e Kosovës, kufizohemi me shtete agresore

4 j. më parë / 20 mar 2025 14:36
osmani

Presidenti i Letonisë, Egars Rinkevics është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. E pas takimit, Osmani ka bërë të ditur se kanë diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë të mbrojtjes. 

“Sot diskutuam mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë të mbrojtjes, dhe angazhimin për zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse. Diskutuam edhe për modalitetet, Kosova do kontribuoj në mënyrë aktive në arritjen e objektivave në fushën e sigurisë në kontinentin tonë”, ka thënë ajo në konferencë për media. 

Osmani ka theksuar se Letonia është Letonia është partnere e fuqishme e Kosovës dhe se e kupton mirë pozicionin e kësaj të fundit. Ajo përmendi Serbinë si agresore ndaj Kosovës, ndërkohë që shtoi se duhet të mbahet përgjegjëse për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe në Banjskë. 

“Letonia e kupton më së miri pozicionin e Kosovës duke qenë se të dyja vendet e kanë një të kaluar të dhimbshme por edhe kufizohemi me shtete fqinje agresore. Sikur Letonia edhe Kosova jemi për vlerat euroatlantike, parimit të fqinjësisë së mirë”.

Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj Bashkimit Evropian që t’i heqë masat kundër Kosovës.