Arbëri

Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Paqes për Ukrainën

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në Zvicër ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Paqes për Ukrainën.

Siç ka bërë të ditur zyra e Presidencës, Osmani është ftuar në samit nga presidentja e Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd.

Samiti do të mbahet në fundjavën e 15 dhe 16 qershorit.

Në të pritet të jenë të pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e liderë të shumë shteteve.

Samiti i nivelit të lartë, i cili do t'i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë, bëhet e ditur në komunikatë.

Aty thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe se do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

Në këtë vizitë, Presidenca ka paralajmëruar edhe takime të Osmanit me liderë të tjerë.