Arbëri

Osmani për viktimat e dhunës në luftë: S'ka drejtësi pa u mbajtur përgjegjës kriminelët

Presidentja Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kërkimi për drejtësi nuk duhet të ndalet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të mërkurën në një konferencë të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani ka theksuar se kjo betejë kërkon këmbëngulje dhe guxim të jashtëzakonshëm.

“Duhet të luftojmë që historia të mos përsëritet. Padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje dhe pa i bërë fajtor përgjegjësit për krimet e bëra. Andaj lufta jonë e përbashkët duhet të jetë për drejtësi. Kjo betejë kërkon këmbëngulje dhe guxim te jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.

Osmani e ka marrë shembullin e Vasfije Krasniqit, të cilën e konsideroi si zë të fuqishëm dhe të guximshëm të të mbijetuarve nga dhuna.

“Vasfija ka arritur të përçojë zërin e fuqishëm dhe të guximshëm të të mbijetuarve në Kosovë dhe në botë. Faleminderit që keni arritur qe këtë dhimbje të Kosovës ta shndërroni në mesazh sensibilizimi. Keni arritur ta dëshmoni gjithkund në botë se ata qe kanë menduar ta çnderojnë Kosovën nuk kanë arritur asnjëherë se ju jeni krenaria dhe vetë nderi i Kosovës. Mbështetja jonë për ju nuk do te ndaletm por do të rritet dhe do të vazhdojë”, ka deklaruar presidentja.

Por ajo e pranoi që duhet bërë më shumë që secili i mbijetuar ta ndiejë mbështetjen e shtetit.

E kryeministri Albin Kurti ka thënë se pavarësisht traumave, të mbijetuarat kanë treguar forcë për të ndërtuar jetë të re. Ai ka shtuar se mbështetja e Qeverisë do të vazhdojë për këtë kategori.

“Përkundër traumave te pashlyeshme të mbijetuarat kanë treguar forcë për te ndërtuar një jetë të re. Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën... Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve gjatë luftës në Kosovë. Për te garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces jemi të lumtur qe është angazhuar zonja Shyhrete Tahiri Sylejmani. Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit për njohjen e statusit, Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për katër organizata”, ka thënë Kurti në konferencë.