(E përditësuar 14:47) - Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk i di arsyet e mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin e thirrur të mërkurën për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta me liderët e partive politike.

Pas takimit, në një konferencë për media, Osmani u ka sugjeruar gazetarëve të shkojnë ta pyesin vetë Kurtin për mungesën.

“Siç e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh. Nënkryetari Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim. Por pasi partitë kanë qenë vetëm në nivel kryetarësh, e kemi mbajtur parimin për të gjithë dhe Konjufca me mirëkuptim e ka zbatuar. Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni drejtpërdrejt atë, po supozoj se është në zyrë. Kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se nuk ka marrë përgjigje nga Kurti.

“Unë i ftoj një herë në katër vjet për zgjedhje të rregullta, mirëpo secili kryetar i partisë i zgjedh prioritetet e veta”.

Presidentja ka dhënë edhe detaje për takimin me liderët e partive politike, duke thënë se janë ende në procesin e konsultimit. Ajo ka thënë se partitë patën preferenca të ndryshme mes datave 26 janar – 16 shkurt 2025. Por ka shtuar se nuk është dallim i madh.

“S'kishte insistim, kishte preferenca. Pas disa analizave që do të bëjmë, do ta shpallim datën e zgjedhjeve sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Osmani, teksa më vonë ka shtuar se data pritet të dihet në mesin e gushtit.

Në takim morën pjesë pothuajse të gjithë kryetarët e partive politike, përveç Listës Serbe dhe partisë së Fitim Damkës. 

Nga Qeveria kanë thënë se emri i Konjufcës do duhej të ishte i pranushëm pasi kryeministri Kurti është "në një drekë me ambasadorët që ishte aranzhuar para tre jave".


Përfundon takimi i Osmanit me liderët partiakë, mungoi VV-ja

(E përditësuar 14:40) - Presidentja Vjosa Osmani të mërkurën ka mbajtur takim me liderët e partive politike në Kosovë për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta vitin tjetër. Në takim nuk pati asnjë përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Mimoza Kusari-Lila përfaqësoi partinë Alternativa, kurse Faton Peci “Listën GUXO”. Ishin edhe disa parti të minoretit. Lista Serbe nuk ka kthyer përgjigje. 

Në ftesën që presidentja u ka dërguar liderëve partiakë është paraparë që zgjedhjet të mbahen mes datave 26 janar dhe 16 shkurt të vitit 2025.

Pas takimit pritet konferencë për media nga Osmani.

Kurti në drekë me ambasadorët, s’i shkon Osmanit në takim

8 muaj më parë / 31 kor 2024 15:33
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka qenë mysafir në drekën e ftuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ku është takuar edhe me ambasadorë të akredituar të BE-së.

Nëpërmjet një komunikate, Qeveria e Kosovës njoftoi se Kurti ka folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën.

“Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan. Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Kurti ka munguar në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me partitë politike. Qeveria ka thënë se arsye e mungesës së tij ishte takimi me ambasadorët, derisa Osmani u shpreh se nuk ka marrë përgjigje nga ai.

“Unë i ftoj një herë në katër vjet për zgjedhje të rregullta, mirëpo secili kryetar i partisë i zgjedh prioritetet e veta”.

Opozita pajtohet që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve

8 muaj më parë / 31 kor 2024 15:08
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë pajtuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Kryetarët e këtyre partive janë shprehur pro kësaj date pas takimit që të mërkurën e kanë zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, e cila i ftoi në takim liderët e partive politike për të konsultuar datën e zgjedhjeve të rregullta – e cila pas takimit ka thënë se data do të vendoset kah mesi i gushtit.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka propozuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.
Ai ka shkruar në Facebook se qytetarët dhe Kosova kanë nevojë për një qeveri të re “të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë”.
Krasniqi është shprehur se s’ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme të zgjedhjeve dhe se PDK-ja ka kërkuar disa herë zgjedhje “duke parë keqqeverisjen e deritanishme”.

“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajën që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shkruar edhe për mungesën e kryeministrit Kurti në takim, duke thënë se është ofenduese.
“Është ofendim ndaj presidentes në radhë të parë. Nuk ua di raportet aq mirë sa të kem një ide. Besoj që ftesa është bërë me kohë”, ka thënë Krasniqi.

Që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve është pajtuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë.

“Sipas afateve kushtetuese, konsultimet për datën e zgjedhjeve nisin nga 26 korriku; vetëm 3 javë larg datave të darkave joformale. Ky fakt, në vete, e bën, edhe një herë, përpjekjen e shpërbërjes së Kuvendit e kështu të heqjes së përgjegjësisë nga Qeveria populliste krejt të panevojshëm dhe të dëmshëm ... Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se zgjedhjet po vinë në një moment kritik për vendin.

“Si manifestim i demokracisë, si rikthim tek qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim! E ardhmja është e bukur. Lidhja është gati! Lidhja është e fortë!”, ka shkruar Abdixhiku. 

Derisa ka shtuar se në takim prezent ishin 13 parti të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës, ka thënë se “në takimin e thirrur nga presidentja nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe”.

Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve, propozim i cili thotë se u mbështet edhe nga partitë e tjera opozitare.

“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, thuhet në reagimin e Haradinajt në Facebook.

Presidenca nuk e pranoi Konjufcën si përfaqësues të LVV-së: Ftesa ka qenë vetëm për kryetarët

8 muaj më parë / 31 kor 2024 14:29
Mbledhja e thirrur nga presidentja

Photo: Driton Paçarada

Presidenca e Kosovës ka thënë se takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani të mërkurën për të diskutuar datën e zgjedhjeve ka qenë vetëm për kryetarët e partive. Në takimin që u mbajt në Presidencë, mungon kryeministri Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Qeveria kanë lënë të kuptohet se kanë propozuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca të marrë pjesë në këtë takim pasi kryeministri Kurti është në një drekë me ambasadorët që ishte aranzhuar para tre jave.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konsideruar se emri i Konjufcës do të duhej të ishte i pranueshëm. Ka shtuar se kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në këto takime në një orar më të përshtatshëm. 

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.

Në ftesën dërguar liderëve të partive politike nga Presidenca për takimin e sotëm thuhet se “në orën 14:00, presidentja Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive politike...”.