Presidentja Vjosa Osmani e ka përkujtuar Masakrën e Mejës, si një ndër plagët më të thella të Kosovës.
Për këtë ngjarje të ndodhur 26 vjet më parë, Osmani ka thënë se çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës është betim për drejtësi.
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se mbetet e gjallë shpresa për një të ardhme me më shumë drejtësi.