Arbëri

Osmani për Kushtetutën e Kaçanikut: Hapi rrugën drejt pavarësisë

Vjosa Osmani në konferencë për shtyp

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 10:20) - Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë në vitin 2008.

Më 7 shtator 2024 u bën 34 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut – që është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

“7 shtator i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë. Ky akt historik simbolizon guximin, unitetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës në luftën e pandërprerë për liri e pavarësi. Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.


34 vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut

(08:57) - Më 7 shtator 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan deklaratën me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi aparteidi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë. /KP