Arbëri

Osmani për Bujarin: Ikonë e fotografisë e dëshmitar i pashoq i historisë sonë të re

Presidentja Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Foto: Alban Bujari

Presidentja Vjosa Osmani, e ka vlerësuar se fotoreporterin Alban Bujari, si ikonë të fotografisë dhe dëshmitar të pashoq të historisë sonë më të re.

Ajo ka thënë se Bujari, i cili vdiq të enjten në moshën 55-vjeçare, ka dokumentuar të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira.

“Nëpërmjet objektivit, ai dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke na lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie. Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë”, ka shkruar Osmani. 

Sipas saj përmes fotografive të Bujarit masakrat gjatë luftës u bënë dëshmi të krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. 

“Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, ka shkruar Osmani, duke shprehu ngushëllime për vdekjen e Bujarit.

“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, Grupit “Koha”, si dhe komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve! I përhershëm qoftë kujtimi për Alban Bujarin!”, ka shkruar Osmani.