Arbëri

Osmani i kërkon SHBA-së qëndrim të fuqishëm për t’i përballuar kërcënimet e Serbisë

Vjosa Osmani dhe Louis Bono

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës”, thuhet në njoftimin e Presidencës, për takimin mes Osmanit dhe ndihmëssekretarit Louis Bono. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon

Presidentja Vjosa Osmani është takuar të mërkurën në Uashington me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono, të cilit i ka kërkuar qëndrim të fuqishëm për t’i përballuar kërcënimet e Serbisë.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës”, thuhet në njoftimin e Presidencës, për këtë takim. “Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon”.
Presidentja Osmani ndodhet në SHBA, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit. 

Në njoftimin për takimin me ndihmëssekretarin Bono është thënë se biseda është fokusuar në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e administratës së presidentit Donald Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

“Gjatë takimit, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale”, thuhet në njoftim. “Mes tjerash, presidentja Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të brutoproduktit vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO”.

Bazuar në njoftim, presidentja Osmani ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim, si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit, ngjarje që ka traditë gjashtëdekadëshe. Çdo vit në SHBA mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.


Osmani: Angazhimi amerikan në Kosovë pengon ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit në rajon

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë pengon ndikimet keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit në rajon.

Sipas saj, Kosova është aleat që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan. 

“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, ka thënë Osmani në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Uashington.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se Osmani ka theksuar që Kosova është aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet e përkushtuar ndaj interesave strategjike të SHBA-së.

Tutje thuhet se Osmani ritheksoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe investimeve në infrastrukturën kritike të Kosovës, duke siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.