Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të rizgjedhur të El Salvadorit, Nayib Bukele.
Siç ka njoftuar Presidenca e Kosovës, Osmani tashmë ka udhëtuar zyrtarisht për në Republikën e El Salvadorit, me ftesë të Bukeles. Vizita e Osmanit është e para një udhëheqësi të shtetit të Kosovës në këtë shtet.
42-vjeçari është president i El Salvadorit që nga 1 qershori 2019. Nga shumë kritikë, analistë politikë e gazetarë, Bukele është cilësuar si autokrat e autoritar. Duke ironizuar me këto deklarata, që kryesisht vinin për shkak të mënyrës që ai ka zgjedhur të bënte ndryshime në luftën ndaj krimit, vetë Bukele i ishte referuar vetes si “diktatori më ‘cool’ në botë”.
Ndaj tij në mandatin e shkuar ka pasur edhe protesta kundër autoritarizmit. Në shkurt të 2019-s, Bukele i fitoi zgjedhjet presidenciale me 53 për qind të votave. Në zgjedhjet e sivjetme ai fitoi mbi 80 për qind të votave. Popullariteti i tij u rrit për shkak të luftës së ashpër ndaj bandave kriminale, gjë që ndikoi në uljen e ndjeshme të shkallës së vrasjeve. Nën presidencën e tij, El Salvadori u kthye nga një prej shteteve më të dhunshme në botë, ndër më të sigurtat në Amerikën Latine.
Në këtë vizitë, Osmani sipas Presidencës do të zhvillojë sërë takimesh bilaterale me udhëheqës shtetërorë të El Salvadorit, duke filluar me Bukelen.
“Fokusi i këtyre takimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja me shtete në rajonin e Amerikës Latine”, thuhet në njoftim. “Presidentja po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera bilaterale me përfaqësues të shteteve të tjera, me qëllim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të interesit të përbashkët”.