Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës, ku ndër të tjera ka folur për sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë – Serbi.
Osmani ka potencuar tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ndërsa po ashtu ka potencuar se mungesa e vullnetit të Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet është pengesë serioze për përparim në dialog.
“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi. Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani potencoi mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Po ashtu Osmani ka nënvizuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, duke e cilësuar si hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët.
“Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces. Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj”, ka njoftuar Presidenca.