Arbëri

Osmani: Mungesa e balancës po e shkatërron kredibilitetin e dialogut

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e një balance në dialogun Kosovë – Serbi, po e shkatërron kredibilitetin dhe po e bën Kosovën të pyesë nëse është pala e vetme që duhet të zbatojë marrëveshjet. 

Osmani duke folur në Samtin e Kopenhagës për Demokraci, ka thënë se derisa Kosova ka shprehur gatishmërinë të zbatojë të gjitha marrëveshjet, Serbia s’po e bën këtë. 

“Duam të respektojmë çdo marrëveshje që e kemi arritur në dialog. Por, si në të gjitha kontratat tjera, ka dy palë, e nëse njëra palë nuk zbaton asnjë pikë por minon marrëveshjet, e në rastin e Serbisë thotë publikisht se s’do të zbatojë e se nuk e pranon marrëveshjen, atëherë shtrohet pyetja nëse kemi një marrëveshje. I kemi kërkuar BE-së që palët të zbatojnë paralelisht marrëveshjen. Ne nuk po u ikim obligimeve që vijnë nga marrëveshja, por Serbia duhet të zbatojë në të njëjtën kohë”, ka thënë Osmani. “Obligimi i Kosovës nga marrëveshja, është krijimi i një Asociacioni ndër të tjera, por është me kushtin që Serbia ta bëjë njohjen de facto paralelisht, siç e tha edhe kancelari Scholz e presidenti Macron. Por, Serbia e bën të kundërtën thotë se s’do ta njohim Kosovën as de facto e as de jure, se s’do ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Atëherë cilat garanci do të kemi që të mos lëmë këtë Asociacion të dalë nga dora. Shikoni me problemet që po përballet Bosnja shkaku i Republika Sërpskas”.

Osmani ka thënë se Asociacioni që i është prezantuar Kosovës nuk ngjason me Republika Sërpskan, porse duhet të kujdeset as të mos jetë “kushëri i largët i saj”. 

Ajo është ankuar se derisa Serbisë s’po i bëhet presion, Kosovës po i vendoset edhe kusht që për anëtarësim në Këshill të Evropës të themelohet Asociacioni. 

“Të mos krijojmë kokëdhembje për partnerët evropianë e për vete sa i përket sigurisë e stabilitetit. E mënyra e vetme si funksionon kjo, është nëse zbatohet marrëveshja si e plotë. E jo t’i kërkohet Kosovës të zbatojë të gjitha pjesët e saj e Serbisë t’i jepet ‘dritë e gjelbër’ për të kaluar çdo gjë. Si shembull kemi aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, kemi kaluar me sukses dy fazat e para, e tash po na thuhet se duhet zbatuar Asociacioni. Kur e pyesim nëse Serbia do ta bëjë zbatimin paralelisht e do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill, askush nuk po i kërkon ta bëjë këtë. Përderisa ekziston kjo mungesë totale e balancit, atëherë shkatërron kredibilitetin e dialogut e po i bënë shumë në Kosovë të pyesin nëse është vetëm një palë që duhet ta zbatojë. Nëse është vetëm një palë që zbaton, cila është ideja e marrëveshjes, e dialogut, pse u ulem me Serbinë dhe u dakorduam për ato marrëveshje. Ofruam për të nënshkruar propozimin franko-gjerman, por Serbia nuk deshi, presidenti i saj Vuçiq tha se po i dhemb dora e majtë, e pastaj e djathta...”, ka thënë Osmani. 

Ajo ka thënë se edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin BE – Ballkan Perëndimor, para gjithë liderëve të BE-së tha se s’do të zbatojë marrëveshjen. Dhe asnjë liderë apo shtet anëtar nuk e pyeti “si nuk do ta zbatojë kur kemi dakordim”. 

“Të gjithë po vinë e po na thonë ne se nuk ka rëndësi çfarë bën Serbia, duhet të zbatoni njëanshëm. Do të bënim po të mos kishte rrezik sigurie nga ky Asociacion. Do të zbatonim po të mos e dinim historinë e Republika Sërpskas, e si më 1991 nisi si Asociacion”, ka thënë Osmani. 

Osmani ka thënë se Asociacioni nuk ndihmon të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Ajo ka thënë se asnjë vend në Evropë nuk garanton më shumë të drejta kushtetuese për minoritete sesa Kosova. Por, Osmani ka thënë se është dakorduar për Asociacion, porse duhet zbatuar paralelisht marrëveshja. 

“Serbia nuk interesohet për të drejtat e njeriut, por është pas territorit. Asociacioni që kërkon Vuçiqi është të ketë instrument nëpërmjet të cilit do ta minojë sovranitetin e integritetin territorial tonë nga brenda, siç bën në Bosnjë. Por, kjo është diçka që na është ofruar në tavolinë nga aleatët tanë dhe kanë insistuar vërtetë aleatët e ne e kemi pranuar. E sigurisht se do ta zbatojmë në përputhje me Kushtetutën tonë, por nëse Serbia zbaton në të njëjtën kohë. Pasi ajo njohje de facto e anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të krijojë siguri për Kosovën si shtet i pavarur e sovran edhe pasi ta krijojmë atë Asociacion”, tha Osmani. 

Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të jetë dorë e zgjatur e presidentit rus Vladimir Putin në Ballkan Perëndimor. 

“Siç e dini Kosova kufizohet me Serbinë, vend që është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur shumë lojale e Rusisë që përpiqet të luajë me ato lojërat e Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj perëndimit sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Puna që bëjmë bashkë me aleatët tanë, NATO-n, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurtë e stabile, është një gjë që bëjmë çdo dite, çdo orë”, tha Osmani. 

Presidentja e Kosovës tha se Kosova definitivisht do të meritonte të anëtarësohej në Bashkim Evropian deri në vitin 2030. 

Ajo thotë se Kosova është shumë më përpara sa i përket pajtueshmërisë me standardet e BE-së. Por, thotë se përkundër se Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatit ajo nuk është shqyrtuar fare deri më tash dhe kjo po dërgon mesazh negativ.
 


Presidentja e Republikës së Kosovës, në Samitin e Kopenhagës për Demokraci, tha se për Kosovën e ardhmja në familjen euroatlantike është vet realiteti. Ajo tha se Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten ndër aleancat më të njohura në historinë moderne.

“Jemi dëshmitar të një sulmi të pandalshëm ndaj vlerave demokratike nga autokratët që e shohin demokracinë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ambicieve të tyre. Sa më e madhe të jetë dëshira e tyre për ta minuar demokracinë aq më e fortë duhet të jetë vendosmëria jonë për ta luftuar. Jam krenare që qëndroj në këtë podium të sotëm për të ndarë me juve një këndvështrim në historinë e Kosovës si tregim i shpresës si tregim I demokracisë që jep rezultat”, tha ajo, raporton RTKlive.

Sipas saj, demokracia më e gjallë në rajonin tonë është testament i vërtetë i asaj se si fati i një populli mund të transformohet kur jepet një rrugëtim drejtë pavarësisë, lirisë e demokracisë duke dalë nga hiri i një lufte gjenocidale.