Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin ka biseduar për sigurinë dhe stabilitetin në vend.
Osmani vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti i vendit është faktor kyç për sigurinë e të gjithë rajonit. Ajo potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me KFOR-in dhe NATO-n, duke e cilësuar atë si thelbësor për sigurinë kombëtare.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën e ndërlikuar gjeopolitike në kontinent, me theks të veçantë në nevojën për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët ndërkombëtarë.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe koordinimi i aktiviteteve për vizitën e paralajmëruar të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Kosovë. Osmani dhe Barduani theksuan rëndësinë e kësaj vizite dhe rolin e NATO-s në garantimin e sigurisë dhe paqes në vend.