Arbëri

Osmani: Masakra në Likoshan e Qirez, dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë

masakra ne Likoshan e Qirez

27 vjet pas, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, teksa ka theksuar se kujtimi për martirët mbetet i gjallë. 

Osmani ka shtuar se masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet dëshmi e brutalitetit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit mbi popullin e Kosovës. 

“Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, në vatrën e rezistencës, në Drenicë. Aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderojmë me respekt të thellë ata që ranë për liri. Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme”, ka thënë Osmani.

27 vjet më parë, Serbia kreu masakrën e parë në luftën e fundit në Kosovë. Pas një përballje të armatosur me pjesëtarë të UÇK-së tek vendi që njihet “Gjashtë Lisat”, Policia serbe u hakmor në Likoshan e Qirez. Me mjete të blinduara në tokë e me helikopterë nga qielli, ajo vrau 20 civilë, mes tyre edhe Rukije Nebihun që ndodhej në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Krahas 20 civilëve, u vranë edhe katër pjesëtarë të UÇK-së. Dy nga ta nga familja Beqiri e Qirezit e dy të tjerë nga ajo Gjeli e Likoshanit.

Aksioni i Policisë speciale Serbe, që nisi mëngjesin e 28 shkurtit të 1998-s, zgjati për dy ditë rresht.

Policia serbe masakroi 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: vëllëzërit Beqir (26), Nazmi (24), Bedri (24) e Bekim Sejdiu (23), pastaj Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27) e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), dhe 10 burra e djemë të familjes Ahmeti – Ganiu (46), Ahmeti (50), Hamza (44), Hilmiu (44), Dritoni (23), Naimi (22), Lumniu (19), Shemsiu (18), Basriu (18) dhe Elhamiu (16).

Ndonëse dihet zinxhiri komandues, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk janë vënë para drejtësisë. Kjo e rëndon Ahmetin dhe familjarët e tjerë.

Kurti për masakrën në Likoshan e Qirez: Mosveprimi i institucioneve, padrejtësi e dyfishtë

1 muaj më parë / 28 shk 2025 12:28
kurti

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrën në Likoshan e Qirez, ndërsa ka theksuar se ende nuk ka drejtësi. 

Gjatë 27 vjetësh prej kur ndodhi masakra, Kurti ka thënë se shumë dëshmitarë kanë vdekur, duke e bërë edhe më të vështirë zbardhjen e të vërtetës. E, nga ana tjetër, ka shtuar ai, ka ende plot të mbijetuar dhe dëshmitarë të gjallë që presin të dëshmojnë. 

Për këtë masakër, Kurti është shprehur se nuk kanë ndarë drejtësi as prokuroria ndërkombëtare pare çlirimit dhe “as kjo e shtetit tonë pas shpalljes së pavarësisë”. 

Mosveprimi i institucioneve, ka thënë Kurti, është padrejtësi e dyfishtë për viktimat dhe familjet e tyre. 

“Sot përkujtojmë civilët shqiptarë të vrarë: Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16). Përkujtojmë dëshmorët Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) që ranë në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe në Drenicë”, ka shkruar Kurti.