Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Kralanit dhe të Qupevës së Epërme, ku u vranë dhe dogjën 87 civilë.
Osmani ka thënë se këto masakra ku u vranë pleq, gra fëmijë e burra, janë dëshmi e përpjekjes së regjimit serb për spastrim etnik të shqiptarëve.
Ajo ka shtuar se është e nevojshme që autorët të vihen para drejtësisë.
“25-vjet më parë, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, në Kralan të Gjakovës, pasi që i rrëmbyen nga kolona e të zhvendosurve, vranë dhe dogjën 87 civilë nga komunat: Klinë, Malishevë dhe Gjakovë, në mesin e të cilëve pleq, gra, burra e fëmijë. Egërsinë e vet, regjimi kriminal e vazhdoi edhe në fshatrat Qupevë e Epërme dhe e Poshtme, Gllarevë, Përçevë, Sverkë, Gremnik, ku vrau mizorisht 45 civil shqiptarë. Këto masakra janë dëshmi e përpjekjes së regjimit kriminal serb për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve. Sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme për paqen e qëndrueshme dhe për mbrojtjen e të vërtetës”, ka thënë ajo.