Arbëri

Osmani: Lufta për drejtësi për të mbijetuarit e dhunimin seksual gjatë luftës s’do të ndalet kurrë

Vjosa Osmani

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur përkrahjen e saj për Ramadan Nishorin dhe çdo viktimë tjetër të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pasi Nishori e bëri publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, Osmani ka thënë se lufta për drejtësi nuk do të ndalet kurrë.

“14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Qëndresa dhe guximi i tyre janë inspirim për secilin prej nesh. Vasfija, Shyretja e shumë gra të tjera, e tani Ramadan Nishori e shumë burra, asnjëherë nuk u dorëzuan përballë dhimbjes. Zgjodhën të bëhen zë për veten dhe për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. U bënë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë. Do të jemi me të gjithë të mbijetuarit sot e çdo ditë, në këtë rrugëtim. Plagët janë ende të hapura, por lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Nishori është burri i parë në Kosovë që ka folur hapur për përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 21-vjeçar, në stacionin policor në Drenas.