Arbëri

Osmani: Lufta kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente.

Në një deklaratë të Osmanit është thënë se liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut dhe thelbësore për demokracinë e të vërtetën.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi. Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente”, ka shkruar ajo.

Osmani ka bërë thirrje që luftën për mbrojtje të së vërtetës duhet ta bëjnë të gjithë bashkë, institucionet, gazetarët e shoqëria civile.

Ajo nuk ka komentuar Indeksin e Lirisë së Shtypit të publikuar nga “Reporterët pa Kufij”, në të cilën Kosova pësoi rënie për 19 vende.