Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Lista Serbe është angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.
"Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës", tha Osmani, në një përgjigje për KOHËN.
Osmani tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është një institucion i pavarur kushtetues, i cili vendosë në mënyrë të pavarur.
"Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional", tha ajo.
KQZ-ja të hënën vendosi të mos e certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Ndaj vendimit të KQZ-së kanë reaguar shtetet e QUINT-it. Lista Serbe të martën ka reaguar në PZAP.
Kurti për moscertifikimin e Listës Serbe: Askush s’ka mundur të presë qëndrim ndryshe prej VV-së
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundur të pritej qëndrim ndryshe prej anëtarëve të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket moscertifikimit të Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kurti ka theksuar se për certifikim apo moscertifikim të Listës Serbe nuk ka pasur nevojë për dy votat e anëtarëve të partisë së tij e se ajo nuk mund të fajësohet.
“Një subjekt politik që ka fituar më shumë se 50% i ka vetëm dy nga 11 anëtarët e KQZ-së dhe qëndrimi i tyre që është ditur gjithmonë problematizohet, ndonëse për certifikimin e LS nuk kanë pasur nevojë për dy të VV-së sepse ata që e kanë krijuar LS dhe e kanë përkëdhelur në pushtet për shumë vjet, ata tash nuk e mbështetën LS. Prej VV-së nuk kanë pasur askush pritje të tilla, prandaj ne jemi adresa e gabuar për këso lloj diskutimesh”, ka thënë ai në konferencë për media.
Kurti ka shtuar se Lista Serbe ka qenë “problematike” edhe para sulmit në Banjskë, e se përshkallëzimi u bë kur me dorëheqjen e serbëve në vitin 2022.
“VV-ja i ka dy nga 11 anëtarë në KQZ, ndërsa për certifikim kanë mjaftuar tetë. Askush nuk ka mundur të presë se do të jetë ndryshe qëndrimi i përfaqësuesve të LVV në KQZ. Mos ta harrojmë që edhe para sulmit terrorist në Banjskë Lista Serbe ka qenë fort problematike dhe përshkallëzimi i situatës vjen kur ata me urdhër nga Beogradi dhanë dorëheqje në veri të Kosovës, në Polici, gjyqësi, komuna dhe parlamenti i Kosovës më 5 nëntor 2022. Kur kësaj ja shtojmë edhe sulmin terrorist në Banjskë i cili është kryer nga nënkryetari i LS-së i cili vazhdon edhe sot të jetë de facto shefi i LS sepse eksponentë e LS në krye me Zlatan Elek që është kryetar i LS takohen me Radoiçiqin në Serbi, marrin instruksione, apo urdhra prej tij, është e qartë që qëndrimi jonë si VV nuk ka mundur të jetë ndryshe”, është shprehur ai.
Kryeministri ka potencuar se Lista Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbë në Kosovës.
“Qëndrimi negativ, veprimet destruktive dhe sjellja penguese e LS ndaj Kosovës janë të njohura publikisht. LS fatkeqësisht po e përfaqëson shtrirjen e gjerë dhe shkallën e lartë të ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe në zgjedhjet tona demokratike. Politikisht LS është dega më besnike e partisë në pushtet në Serbi dhe bojkoti i tyre ndaj Kuvendit të Kosovës pat nisur me atë urdhrin nga Beogradi më 5 nëntor 2022. LS në pikëpamjen time nuk është shprehje e organizmit politik të serbëve në Kosovë, por diktat i Beogradit mbi serbët e Kosovës duke ia sipërvendosur asaj partie për shef Radoiçiqin”.