Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ajo shtoi se Kosova nuk po kërkon t'i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha "zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel”.
“Në çdo kontratë, në çdo marrëveshje janë dy palë dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare që në qoftë se një palë tërhiqet nga marrëveshja, atëherë pala tjetër nuk ka asnjë detyrim që të zbatojë pjesë e saj të marrëveshjes. Ajo çfarë po insistojmë ne si Kosovë është jo që ne të ikim nga obligimet tona, por që të ketë zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka obligime për Kosovën, disa prej të cilave kanë qenë koncesione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë, të cilat në qoftë se merren në tërësinë e saj konstituojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës siç është potencuar qartë edhe nga liderët evropianë në deklaratën e tyre të 26 tetorit”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Osmani ka theksuar se Serbia nuk mund të deklarohet hapur e të dërgojë letër që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë marrëveshjen, e Kosova të ofrohet si vullnetare “që gjithçka të zbatojmë pa marrë garanci në anën tjetër”.
“Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon”.