Arbëri

Osmani: Investimet e MCC-së janë konfirmim i raportit të veçantë të Kosovës me SHBA-në

Vjosa Osmani

Presidentja, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që është mbajtur në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në SHBA.

Sipas presidentes Osmani, Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta është shndërruar në demokraci të përparuar në rajon, me ekonomi në zhvillim dhe partnerë të besueshme.

“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, citohet Osmani në komunikatën e Presidencës.

Projektet sikurse ky, Osmani ka thënë se janë konfirmim i raportit të veçantë të Kosovës me SHBA-në.
“Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-në”, citohet Osmani.

Osmani ka potencuar se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.

“Programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë”, citohet Osmani.