Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ta kthejë në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Në arsyetimin e Osmanit thuhet se ndryshimet në këtë ligj, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbeten krejtësisht të parregulluara, duke rrezikuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, respektivisht Kreun II, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme. Si rrjedhojë e kësaj dhe në mungesë të një ligji tjetër në fuqi i cili do të rregullonte këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i pa rregulluar, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të shtetit tonë. Prandaj, shpallja e Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës do të krijonte zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionimit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme, pikërisht në një situatë kur funksionimi i mirëfilltë e i bazuar në ligj është i rëndësisë jetike”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, Osmani ka thënë se Ligji bie në kundërshtim me nenet 125 dhe 127 të Kushtetutës, duke përmendur obligimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike, të drejtave e lirive të qytetarëve dhe bashkërendimin e punës së Këshillit "që është tejet i rëndësishëm, në veçanti në situata të gjendjes së jashtëzakonshme".
“Në këtë drejtim, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme krijon një vakum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme”, thuhet tutje.
Dokumentin e plotë e gjeni këtu