Arbëri

Osmani: Historia e Kosovës dëshmi e fuqisë së partneriteteve, aleancave dhe demokracisë

Vjosa Osmani ne Clinton Global Initiative ne New York

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar për përjetimet e saja si refugjate. Në një fjalim të saj më 24 shtator në Clinton Global Initiative në New York, Osmani ka thënë se rritja si fëmijë i luftës dhe refugjate e ka ndihmuar t’i mësojë vlerat e lirisë së fituar me shumë vështirësi dhe e ka formuar si person. Ajo thotë se e ka inspiruar brenda saj nevojën për të shërbyer për njerëzit e për njerëzinë në përgjithësi. 

Ajo ka treguar se si me dekada qytetarëve në Kosovë u ishin mohuar të drejtat elementare.

“Jemi shtet i vogël, por besoj se ndikimi ynë në botë nuk duhet të përcaktohet nga madhësia gjeografike apo lokacioni ynë, por nga storia që kemi. Historia e Kosovës është një që dëshmon fuqinë e partneriteteve, aleancave dhe demokracisë. Tregon se asgjë s’mund të qëndrojë në rrugën e njerëzve që duan të jenë të lirë, asgjë. Pavarësisht se sa të forta janë pengesat apo sa e gjatë është rruga. Gjithmonë do të arrini atje, pasi asgjë s’mund ta ndalë vullnetin e njerëzve që të jenë të lirë”, tha Osmani. 

Ajo u duarktrokit nga të pranishmit kur tregoi se Kosova ishte shteti i parë që menjëherë i tha po kërkesës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden për të pranuar të zhvendosur afganë. Po ashtu tha se njëjtë ka vepruar Kosova edhe me refugjatë ukrainas. 

“Për shkak të ndihmës që na u ofrua nga tjerët, që zëri ynë të dëgjohej, ne sot jemi të lirë, jemi prosperues dhe demokracia më e fortë në rajon”, ka thënë Osmani.