Arbëri

Osmani fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve

Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar - 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

I kontaktuar nga KOHA, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka konfirmuar ftesën.

KOHA ka kontaktuar edhe me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Presidencën. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet. 

Letra e siguruar nga "Betimi për Drejtësi"