Arbëri

Osmani flet me komandantin e KFOR-it për Urën e Ibrit: Suksesi arrihet me aleatët

Presidentja Vjosa Osmani dhe komandanti i KFOR-it Oezkan Ulutash

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të hënën komandantin e KFOR-it, Oezkan Ulutash.

Sipas një njoftimit të Zyrës së Presidencës në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Sipas njoftimit Osmani në takim ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. 

"Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Për takimin Osmani ka shkruar edhe në Facebook. 

Osmani ka thënë se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve. 

Ajo ka shtuar se suksesi i qëndrueshëm arrihet bashkë me aleatët. 

“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”, ka shkruar Osmani.
 

Qeveria njoftoi një muaj më parë për synimin që ta hapë për automjete urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe. E ky synim u kundërshtua nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Edhe KFOR-i ka deklaruar se me hapje të urës rrezikohet siguria e rajonit, derisa ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se me hapje të urës rrezikohen ushtarët e NATO-s.