Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit të Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Kosovës tani i ka mbetur vetëm një hap për anëtarësim në KiE, që është votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj nëse hyn në rend dite.
“Zëri i evropianëve është dëgjuar! Faleminderit të gjithëve deputetëve që votuan pro anëtarësimit të Kosovës sot në Asamblenë Parlamentare. Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, ka shkruar Osmani në “X”.
Rohde: Kosova fitoi rreth 80% të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova ka fituar pothuajse 80 për qind të votave gjatë votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai ka shtuar se muajin e ardhshëm do të jetë faza më e vështirë e votimit për anëtarësim në këtë organizatë, për çka ka thënë se Kosova duhet të punojë shumë për ta bindur Komitetin e Ministrave për të votuar në favor të saj.
“Tani vjen faza më e rëndë – sigurimi i shumicës së nevojshme 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë atë që duhet për t’i bindur me meritë dhe veprim”, ka shkruar ai në platformën X.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Votuan gjithsej 171 deputetë. Pro ishin 131, kundër ishin 29 e 11 abstenuan.
Kosovës tani i ka mbetur vetëm një hap për anëtarësim në KiE, që është votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj nëse hyn në rend dite.
Rama e konsideron “hap historik” votimin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar si hap historik votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovë në këtë organizatë.
Rama ka uruar dhe falënderuar të gjithë partnerët që e bën të mundur hedhjen e këtij hapi për Kosovën.
“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: VULOSJEN E KËTIJ ANËTARËSIMI pa të cilin mozaikut evropian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm (Kosova). Forca KOSOVË”, ka shkruar Rama në Facebook.
Von Cramon mezi pret ta shohë Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se mezi pret ta sheh Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës.
Von Cramon e ka quajtur hap të rëndësishëm mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës.
Important step for Kosovo 🇽🇰 on its way to @coe
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺🇮🇱 (@ViolavonCramon) April 16, 2024
Congratulations 🎉 and hope to see you soon as a full member 💚 https://t.co/j4FZwv7gO6
Gërvalla: Evropianët folën qartë dhe me zë të lartë
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill.
“Evropianët kanë folur qartë dhe me zë të lartë! Mirënjohës të gjithë deputetëve të Asamblesë Parlamentare për përkrahjen e palëkundur sonte për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Përpara për te momenti tjetër historik”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz për platformën “X”.
Në prononcim për media pas takimit, Gërvalla ka thënë se me votimin në Asamble është konfirmuar se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Votimi i sotëm është vlerësim i arritjeve të mëdha që ka bërë Republika e Kosovës...Me votën masive të dhënë sot në Asamblenë Parlamentare është konfirmuar se Kosova i plotëson të gjitha kushtet me u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Kjo votë duhet t’i jepte fund të gjitha diskutimeve se a duhet të ketë kërkesa shtesë”, ka thënë Gërvalla.
Opozita mirëpret miratimin e raportit që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në KiE
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka mirëpritur miratimin e raportit që i hap rrugën Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Krasniqi ka falënderuar ata që votuan pro shtyrjes përpara të këtij procesi, veçanërisht deputetin rumun, Iulian Bulai, i cili sipas tij, bashkë me deputetët e PDK-së, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi.
“Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”, ka shkruar lideri opozitar në Facebook.
Miratimin e këtij raporti të martën nga Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka mirëpritur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se kjo përkrahje është hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e shpirtin e qytetarëve, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai.
Ahmeti: Vendimi i Asamblesë Parlamentare, sukses i angazhimit institucional dhe koordinimit me ndërkombëtarët
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka reaguar pas miratimit të opinionit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ahmeti ka thënë se rezultati i së martës është sukses i angazhimit intensiv të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“Mirëpresim amendamentet e propozuara dhe miratuara të cilat kërkojnë që të avancohen të drejtat civile të qytetarëve të Kosovës dhe jemi të lumtur që Opinioni u mbrojt nga amendamentet të cilat do ta pengonin procesin e anëtarësimit. Rezultati i sotëm është sukses i angazhimit intensiv të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar. Gjithashtu, mbështetja e fuqishme demokratike në APKiE duhet të shihet si sinjal pozitiv nga Komiteti i Ministrave që ta trajtojë aplikimin e Kosovës në muajin maj të këtij viti”, ka shkruar ai pas seancës të së martës.
Ai ka shtuar se juristët e kësaj organizate e kanë konfirmuar se Kosova plotëson standardet, raportueset politike konfirmuan që Kosova plotësoi parakushtet, ndërsa APKiE që nga sot rekomandon anëtarësimin.
“Prandaj, nuk ka asnjë arsye për hezitim, shtyrje e aq më pak kundërshtim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai.
Kurti: Me Kosovën, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Kosova ka kaluar edhe një pengesë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës.
Kurti ka thënë se me Kosovën, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!” – ka shkruar Kurti në Facebook.